Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se kostot e rindërtmit të shkollave lënë vend për të dyshuar për abuzime. Në studion e TvT, Tomorri tha se në rastin e Bashkisë së Tiranës, kjo nuk është risi, pasi kostoja e rindërtimit të shkollave i ka kaluar shpesh 4 milionë euro.
“Nuk ka asnjë auditim për procesin e rindërtimit dhe mënyrën si po shpenzohen paratë. FMN ka shprehur shqetësim për mënyrën sesi po shpenzohen paratë, duke anashkaluar rregullat dhe kjo rrit shtigjet për abuzime. Sa i përket rindërtimit të shkollave, nuk është risi për bashkinë. Ne kemi parë shkolla të prokuruara në Tiranë që kanë shkuar mbi 4 milionë euro”, tha ai.
Tomorri tha se të njëjtat hije dyshimi për abuzim me fondet bien edhe mbi shkollat e rindërtuara përmes projekteve të tjera të Bashkisë së Tiranës.
“Nuk janë vetëm shkollat që janë rindërtuar përmes këtij procesi nga bashkia. Ka një program koncesioni për rindërtimin e shkollave, 16 apo 17 shkolla, investon privati dhe bashkia e shlyen me këste me të ardhura që gjenerohen nga taksa e arsimit. Edhe këto shkolla janë tenderuar me vlera mbi 4 milionë euro e sipër. Janë vlera të ekzagjeruara por nuk ka auditim për këto dy projekte. Besoj se do të ketë gjetje interesante nëse KLSH-ja do t’i kalojnë në sitë këto projekte”, tha ai.



