
Ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, për dhënien e pronave të ushtrisë dhe bazat detare për turizëm, ngre shqetësim për mos reagimin nga SPAK lidhur me çështjet e kallëzuara prej tij të cilat janë nën hetim.
Nga studio e “MCN Economy” ai deklaroi se zaptimi i 5.2 hektarëve pronë të ushtrisë dhe shkatërrimi i monumenteve historike në Porto Romano, të zaptuara dhe shkatërruar nga porti “MBM”, është bërë pa asnjë dokument.
Ai tha se shumicën e aksioneve në këtë port e ka “Kastrati Group” dhe ndërkohë nuk përfundojnë hetimet teksa prona është shkatërruar pa asnjë akt zyrtar.
Sipas tij, ka mbi tre vjet që prona është zaptuar dhe nënvizoi se sikur të ishte marrë me qira, do ishin paguar ndaj shtetit deri më sot 2.5 milionë euro.
Meçollari shtoi se ai që e ka zaptuar nuk ka si të mbrohet dhe personat e thirrur në SPAK nuk kanë paraqitur asnjë dokument, duke ngritur pikëpyetje se si ka mundësi që SPAK mban nën hetim një çështje që nuk ka nevojë të hetohet se nuk ka asnjë letër, personi që e ka zaptuar nuk ka asnjë dokument.
Ndër të tjera deklaroi se ligji i Policisë Ushtarake thotë se kur pronat e Forcave të Armatosura zaptohen, shefi i Shtabit ka detyrimin të largojë zaptuesin dhe se bëhet lirim me forcë i pronës.
Nëse do fitojë Kryeministri me oligarkët apo drejtësia, Meçollari thotë se këtë e ka në dorë SPAK-u.
Jam palë paditëse në disa çështje për bazat detare. Janë dy kallëzime penale por që përbëjnë katër hetime, baza detare e Sarandës, lidhja e kontratës dhe dorëzimi i bazës.
Çështja e zaptimit të 5.2 hektarë pronë dhe shkatërrimi i saj, i monumenteve historike në Porto Romano, i zaptuar dhe shkatërruar nga porti “MBM”.
Dhe është baza detare e Shëngjinit ku është ndërtuar një godinë brenda pronës së ushtrisë me leje të drejtuesve të ushtrisë.
Është dhe tentativa e vitit 2016-2017 për nxjerrjen nga plani i përhapjes e Forcës Detare të 133 hektarë, nga 200 hektarë të katër bazave kryesore që përfshin Shëngjinin, Kepin e Palit, Pashalimanin dhe Porto Palermon.
Përveç Sazanit i cili është dhënë një pjesë e tij, të gjitha bazat që ndodhen në territorin shqiptar janë nën hetim nga SPAK.
Aktualisht hetimet janë përfunduar, janë nën sekuestro prej dy vitesh si baza detare e Shëngjinit dhe ajo e Sarandës, vetëm se nuk e kuptoj pse SPAK nuk po regjistron personat nën hetim, kjo më çudit.
Se rasti i zaptimit apo shkatërrimit dhe ndërtimi pa leje në Porti Romano, ku porti “MBM” nuk ka asnjë letër që ta ketë marrë të dhuruar, me koncension, me PPP.
E ka zaptuar pronën 5.2 hektarë pa asnjë fije letër. E ka deklaruar ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi para Kryeministrisë para dy vitesh, na është zaptuar prona e ushtrisë nga “MBM”.
Shumicën e aksioneve në këtë port e ka “Kastrati Group” dhe ndërkohë nuk përfundojnë hetimet. Nuk ka asnjë fije letër, të firmosur qoftë edhe në klub që të thotë këtë pronë merre në përdorim.
Të gjitha këto hetime kanë përfunduar hetimet, janë paditur prej katër vitesh dhe SPAK, zoti Altin Dumani e di shumë mirë nga e di unë se kanë përfunduar hetimet.
Problemi qëndron se SPAK ka humbur kurajon për të çuar çështjen në gjykatë. Janë të përfshirë politikanë, zonja Olta Xhacka, Presidenti Bajram Begaj dhe zoti Bardhyl Kollçaku, 3-4 gjeneralë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Nuk ka asnjë akt të shtetit shqiptar nga parlamenti deri te roja i pronës, nuk ka asnjë akt që ti japë të drejtën portit “MBM” që të përdorë pronën. Është shkatërruar pa asnjë akt zyrtar.
Kryeministri thotë se ne duhet të luftojmë korrupsionin. Ka mbi tre vjet që është zaptuar, sikur ta kishte marrë me qira do kishte paguar deri sot 2.5 milionë euro.
Ai që e ka zaptuar nuk ka si të mbrohet. Janë thirrur në SPAK dhe nuk kanë paraqitur asnjë fije letër.
Çudia qëndron te SPAK që si ka mundësi mban nën hetim një çështje që nuk ka nevojë të hetohet se nuk ka asnjë letër, personi që e ka zaptuar nuk ka asnjë letër.
Kanë prishur një monument të luftës së dytë botërore, kanë rrethuar murin antik 2500 vjeçar, muri i portës, i rrethuar me beton i gjithi dhe në krah të tij kalon rruga.
Është bërë rruga brenda pronës së Forcës Detare dhe asnjë institucion shtetëror nuk bën asnjë letër që të ankohen dhe të paraqesin çështjen, që Kryeministri të thotë që e di.
Ligji i Policisë Ushtarake thotë se kur pronat e Forcave të Armatosura zaptohen, shefi i Shtabit ka detyrimin të largojë zaptuesin.
Bëhet lirim ne forcë, njëlloj siç vepron INUK. Prej tre vitesh nga tetori i vitit 2021 që është zaptuar e deri më sot asnjë shef Shtabi, Bajram Begaj dhe tani Arben Kingji, asnjë ministër, as Niko Peleshi, as Pirro Vëngu, asnjë Kryeministër, asnjë President nuk kanë urdhëruar lirimin e pronës, e kanë detyrim sipas ligjit ushtarak.
Këtë e tregon SPAK, pse e mban akoma? Se gjëja e parë që duhet të bënte është ta kalonte në sekuestro preventive dhe t’ia kthente ushtrisë, por në fakt asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Nuk ka informacion sekret, kapja e pronës. Ai e përdor thjesht si magazinë të portit “MBM”. Gjiri i Vlorës është ndër më të rëndësishmit.
Kur NATO ka tre vjet që studion bazën e Pashalimanit dhe Gjirit të Vlorës. Mbas fitores së zgjedhjes do t’i vihet kazma dhe bazës së Pashalimanit ku 10 hektarë e bazës t’i jepet një investitori strategjik.
Saranda ka rëndësi strategjike për flotën shqiptare dhe për marrëdhëniet me NATO-n.
Të katër vendimet e gjykatave deri në Kushtetuese kanë provuar që përballë dy kontratave, një koncensionare, një qiraje me dy kompani, “Marina Limion” dhe “Marina bay Saranda”, të dyja kontratat, të dyja kompanitë në pronësi të dy pronarëve Shefqet Kastrati dhe Artan Dulaku, të dyja kompanitë kanë të njëjtin pronar.
Janë në shkelje, kanë cenuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Kanë cenuar marrëdhëniet me NATO-n dhe kanë cenuar operacionalitetin e Forcës Detare.
Në dallim nga të gjitha pronat që është vënë në sekuestro, kjo pronë i është kthyer Forcës Detare për shkak të operacionalietit që ka.
Në 15 prill mbyllen katër vjet nga hetimi paraprak që ka hetuar SPAK. Këtë vit i kam dërguar në 8 shkurt kërkesën për informacion për statusin e çështjes dhe akoma nuk më ka kthyer përgjigje.
Sot SPAK është në provë, ka humbur kurajon nga ndoshta apo kërcënimet e Kryeministrit.
Çfarë i duhet SPAK që të mbyllë hetimin dhe të shprehet për personat nën hetim?
Kryeministri nuk sillet si mik i oligarkëve por bashkë investitor me të gjithë këta.



