Eksperti i zhvillimit rural, Fatos Fico dhe ai i ekonomisë, Pano Soko, e shohin me shqetësim çmimin e rritur të naftës, i cili ka shkuar 206 lekë për litër.
Duke folur për “MCN Economy”, Fico tha se është e nevojshme që të ndërhyjë qeveria për të ndihmuar biznesin, pasi çmimi pritet të mbetet i shtrenjtë për një periudhë të gjatë.
Në të njëjtën linjë shprehet dhe Soko, i cili e krahason ekonominë shqiptare me një fëmijë në rritje i cili ka nevojë për ndihmë.
Fico
Është normale që inflacioni të rritet, se energjia është baza e kostos që funksionon ekonomia. Rritja e kostos së ekonomisë rrit çmimet për çdo produkt. Efektet e rritjes së çmimit të naftës transmetohen indirekt edhe nëpërmjet imputeve bujqësore. Prandaj inflacioni është i pritshëm, sidomos tek ne që ka fluks të madh parash, më shumë se sa ka mall.
Tek ne Diessel përdoret masivisht për transport, jo domosdoshmërisht për industrinë apo transportin klasik. Tek ne çmimi joelastik shkon për çdo përdorues. Në botë Diessel përdoret kryesisht për transport mallrash. Fati jonë i keq është që njerëzit vazhdojnë të blejnë makina me naftë.
Prandaj duhen ato mënyra për të kontrolluar çmimin, se ndikon direkt kostoja e jetesës dhe ndikimi në ekonomi. Diesseli do të mbetet problem afatgjatë për ekonominë tonë. Diesseli do të mbetet i shtrenjtë. Ekonomia jonë ka probleme madhore që të eksportojë dhe kjo është ndjerë shumë, kemi rënie të madhe të industrisë fasone dhe përpunuese.
Një pjesë e madhe po shkon drejt mbylljes dhe këto kosto të shtuara janë shumë të mëdha. Dhe qeveria nëse do ta ndihmojë biznesin, duhet të ndërhyjë. Njerëzit mund ta lënë një vajtje në plazh, por karburanti është i domosdoshëm.
Dhe qeveria duhet minimalisht të ndërhyjë dhe të lehtësojë akcizën apo taksën që paguan biznesi për karburantet për të ulur kostot. Për momentin nuk transmetohet direkt goditja e rritjes së kostos dhe çmimeve, por këto njerëzit do i paguajnë më vonë.
Soko
Çmimi naftës vjen prej situatës në Ngushticën e Hormuzit. Duke parë performancën e Bordit të Transparencës gjatë kohës që ishte aktiv, do të kishte një rol. Por në situata të tilla edhe ditët mund të bëjnë vlerë kur situata është e përshkallëzuar në nivel të tillë. se ne kemi rritjen e çmimit menjëherë sapo plasi kriza në Hormuz.
Aty po goditet infrastruktura e nënprodukteve të naftës. Po goditen nënproduktet e përpunimit. Çmimi i naftës bruto nuk po rritet aq shumë sa po rritet çmimi i Diessel. Vendet e zhvilluara që kanë arritur kapacitetet e tyre të zhvillimit, ndërhyrjet do të ishin të pasugjeruara. Nuk ka vend për të ndërhyrë në një ekonomi të stabilizuar.
Por ne jemi një vend në zhvillim dhe jemi si fëmijët në rritje, që kanë nevojë për ndihmë, sa herë vijnë situata të tilla rreziku. Në çdo moment ekonomia shqiptare duhet asistuar, se është e vogël, nuk është rritur.
Duhet ndërhyrë se ne jemi në proces rritje dhe duhet ndërhyrë për të mos dëmtuar ecurinë. Nga ana tjetër nuk ke pse ta rrisësh sot çmimin, por rrite kur të marrësh furnizimin e ri.



