
Bonot e privatizimit prej më shumë se 25 vitesh ishin letra me vlerë që qeveritë i hodhën për procesin e blerjes së fabrikave apo privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore.
Të gjitha qeveritë dështuan në 25 vitet e fundit, që t’i jepnin vlerën e duhur bonove të privatizimit, por për ish-drejtorin e Auditit të Buxhetit të Shtetit Azmi Stringa edhe pas dy vitesh nuk po respektohen rekomandimet e KLSH-së për bonot e privatizimit, duke deklaruar se ka një mos kuadrim shifrash të raportuara.
Stringa thekson se vendi ynë ka një eksperiencë negative, e cila është zbuluar në vitin 2014 për mos shkatërrim të parasë të tërhequr nga qarkullimi dhe rikthimin e saj në treg.
"Po për të njëjtat risqe dhe të njëjtën kohë, por për Bonot e Privatizimit këtë herë, shtrohen këto pyetje:
Sa janë emetuar?
Sa janë përdorur?
Sa janë shkatërruar nga BSH?
Sa janë në qarkullim?
Kush i mbledh nga bankat?
Kush ka autorizim nga bankat t’i mbledh?
Sa kanë mbledhur secila bankë?
Si i ka pranuar BSH për dorëzim nga banka pa autorizim?
Sa janë dorëzuar në BSH?
Ku janë rakordimet? Përdorim, mbledhje, dorëzim, shkatërrim?
Pse nuk zbatohen rekomandimet e KLSH? Ende pas dy vjetësh.
Shifrat nuk kuadrojnë".
Kujtojmë se bonot e privatizimit do të mund të përdoren deri në fund të vitit 2021.
Komisioni i Ekonomisë, në qershor të 2018-ës, me propozim të deputetit Anastas Angjeli, votoi për shtyrjen me tre vite të vlefshmërinë e përdorimit të tyre, ndërsa projektligji që ishte depozituar në Kuvend në muajin maj parashikonte shtyrjen deri në fund të vitit 2020.
Por pse u kërkua të zgjatet vlefshmëria në treg e këtyre letrave me vlerë dhe për çfarë shërbejnë ato?
Në bazë të ligjit në fuqi, me to mund të kryhet pagesa për legalizimin e banesave, por nisur nga ecuria e këtij procesi ALUIZNI duket se nuk shprehu interes për t’i përdorur, duke pranuar vetëm pagesa në lekë.
Mbi këtë argument, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë kërkuan që institucionet të jenë edhe më agresive në informimin mbi përdorimin e bonove, pasi jo të gjithë qytetarët kanë dijeni të plotë për këtë procedurë, edhe pse disponojnë në shtëpitë e tyre një sasi të konsiderueshme të letrave me vlerë.



