Eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se turizmi dhe ndërtimi, dy kolonat kryesore të ekonomisë po tunden.
Duke folur për “MCN Economy”, ai deklaroi se Shqipëria nuk është më plot surpriza, por po e ezauron avantazhin turistik që kishte.
Ndërsa ftohjen në sektorin e ndërtimit, Soko e sheh prej kërkesës së munguar.
Nuk ka më surpriza, nuk ka më energji potenciale, e ka ezauruar turizmin dhe kjo sjell një lloj pesimizmi. Te ndërtimi i cili pati gjithë këtë rritje këto vite, papritur ka qëndruar në vend dhe ka filluar të bjerë.
Ajo që bëri Banka e Shqipërisë që i ndaloi bankat të miratonin 100% kredi, është një kambanë, që këtu ka një rrezik në këtë sektor. Njerëzit i lexojnë të gjitha sinjalet. Por duke qenë se turizmi dhe ndërtimi kanë qenë dy kolonat e ekonomisë.
Nëse kolonat po tunden gjithë ekonomia nuk është se ka pritshmëri të mirë. Kjo ka projektuar gjithë këtë pritshmëri negative.
Të gjithë këta sektorë do të vazhdojnë të nënperformojnë. Në tregun e ndërtimit, oferta po bën rezistencë që të qëndrojë çmimi këtu ku është.
Se në një treg të balancuar çmimi duhet të kishte rënë. Për të parë se si është gjendja në realitet, shikon se si sillen institucionet.
Ne kemi sot një vëmendje të pazakontë të Kryeministrit që kërkon të rregullojë tregun e pasurive të paluajtshme, ndërtimin në përgjithësi. Gjërat nuk po ecin si deri vjet.
Ne kemi çmime kaq shumë të larta, sa që një gjendje ekuilibri natyror duhet të rregullohej. Se ne harrojmë që paga mesatare në Shqipëri është 700 mijë lekë. Çmimi natyror është kur çmimi i afrohet pagës mesatare.
E prisja një ditë që të ndodhte kjo gjëja, se paratë që vinin nga jashtë janë të fundme. Se do vinte një moment kur do ndalohej oferta prej atyre nga gjeneroheshin këto para.
Çmimet e larta janë dhe për arsye subjektive. Ajo që kemi ne problem është kush i blen, jo pse i mbajnë lart çmimet.
Se që pas krizës në Ukrainë pati një rritje të madhe të kostos së lëndëve të para. Në një ekonomi normale ky sektor duhet të kishte rënë para dy vitesh, jo të kishte këtë fluks ndërtimi që kemi sot, por duhet t’i kishim bërë zero që dy vjet më parë.
Problemi në një ekonomi nuk është pse rrit çmimin, por kush e blen, nga vijnë këto para. Se matematika nuk na rri të blesh apartament 2, 3 mijë euro metri katror me pagë 700 mijë lekë. Janë të pabanuara 70 mijë, por të pashitura janë zero. Kush i ka blerë këto?
Ky fluks që i ka blerë deri sot, vjen një moment që do ndërpritet, sepse ne synojmë Bashkimin Europian dhe ne do ndërpresim marrëdhënien me paranë e pistë.



