Tushaj: Nuk jemi në luftë me “Bankers”, duam të normalizojmë marrëdhëniet

Tushaj: Nuk jemi në luftë me “Bankers”, duam të normalizojmë marrëdhëniet

Kreu i ri i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Viktor Tushaj, thotë se shteti është i interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me kompaninë “Bankers”, pavarësisht se çështja ka kaluar në arbitrazh. Në një intervistë për ATSH-në, Tushaj thotë se “gjithë interesimi ynë është për të normalizuar këtë marrëdhënie, për të realizuar interesat e shtetit shqiptar dhe publikut që kompania të zhvillojë aktivitetin e saj në mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, por të paguajë edhe detyrimet palës shqiptare”.

Z. Tushaj, AKBN i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit, a jeni ju në ‘luftë’ me Bankers ?

Historia me kompaninë Bankers është një histori që i ka fillimet e veta që në lidhjen e marrëveshjes së parë hidrokarbure me kompani të tjera që pastaj me blerjen nga Bankers morën emrin e saj.
Marrëdhënia me industrinë e naftës është një marrëdhënie delikate, ku shteti ka gjithnjë interesin e rritjes së investimeve hidrokarbure, pasi shfrytëzimi i puseve të naftës ka të bëjë me nivelin e investimeve. Nuk është si në investimet e tjera, pasi prodhimi i naftës varet nga intensifikimi i vazhdueshëm i investimeve në këto fusha.

Nuk është siç mund të jetë në fushën minerare, ku pasi të jetë hapur një pus minerar dihet e gjithë sasia e minerarit që mund të nxjerrësh. Në fushën e hidrokarbureve nuk është e tillë, pasi duhet kryer gjithnjë investim për të mbajtur shfrytëzimin e pusit në të njëjtin nivel sasie.

Dhe kjo është arsyeja e asaj që unë quaj delikate në marrëdhënien me industrinë hidrokarbure. Në fakt, industria hidrokarbure jo gjithmonë ka qenë korrekte me shtetin. Pa dyshim, kjo industri është e interesuar të rrisë sa më shumë volumin e investimeve apo siç e quajmë në gjuhën teknike, kostove të rikuperueshme për të ulur sa më shumë pjesën e tatim-fitimit, pasi këto industri paguajnë rentën minerare TVSH-në dhe tatim-fitimin. Por në momentin kur ata realizojnë fitim, paguajnë tatim-fitim në masën 50 % .

Pas rritjes së eksperiencës në AKBN, të fillimit të kuptimit të mënyrës se si do të funksionojë raporti, AKBN ka bërë auditime të herë pas hershme në këtë industri në mënyrë të veçantë te kompania Bankers, që është kompania më e madhe që ushtron veprimtarinë e saj në shfrytëzimin e në prodhimin e naftës.

Auditimi i bërë në vitin 2011, që është edhe ndër të parat nxori disa probleme e adresoi disa gjetje të cilat në gjuhën teknike u quajtën kosto të parikuperueshme gjë që kompania Bankers i kishte llogaritur si kosto të rikuperueshme për të balancuar bilancin e tyre të të ardhurave dhe shpenzimeve.

AKBN gjithnjë ka kërkuar edhe pas disa tratativave edhe me kompaninë Bankers të përmirësojë raportin e saj me shtetin shqiptar, duke mos futur kosto të rikuperueshme ato kosto që nuk janë të rikuperueshme, si dhe të ndjekë disa procedura që përcaktohen qartë në marrëveshjen e hidrokarbureve, që do të thotë, shpenzimet që kalojnë një limit duhet t’i nënshtrohen një tenderimi, konkurimi, procedure konkurruese gjë që kompania nuk e ka bërë.

Pas daljes së këtij raporti auditimi, kompania Bankers nuk ishte dakord dhe kërkoi të çojë çështjen në arbitrazh. Pas një negociimi u ra dakord që të pajtohej një ekip ekspertësh. Tashmë siç dihet raporti përfundimtar nuk ishte në favorin e qeverisë shqiptare dhe pas shumë diskutimesh që pala shqiptare ka bërë me avokaturën e shtetit, ministrinë, drejtoritë e linjës, por edhe ministrin dhe me avokatët që kanë mbrojtur çështjen në panelin e ekspertëve, pas shqyrtimit të të gjithë atyre elementëve e gjetjeve, pas edhe vlerësimit të të gjithë këtij raporti që ekziston mes gjetjeve e vendimit të panelit të ekspertëve, ne tashmë kemi marrë vendimin që çështjen ta çojmë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Pa dyshim ne duhet të vlerësojmë mirë se kush janë pritshmëritë e këtij ankimimi, pasi paneli i ekspertëve vendosën, sipas gjykimit tonë, njëanshmërisht për kompaninë Bankers në disfavor të shtetit shqiptar. Ne jemi të sigurtë se tashmë avokatura e shtetit me studion avkatore që do të angazhojë për mbrojtjen e palës shqiptare si dhe raportit të auditimit do të kërkojë të specifikohen ata elementë të cilët duhet që Gjykata e Arbitrazhit t’i marrë parasysh.

Janë disa gjetje, disa elementë që do të jenë në bazë dhe kryesor, ku studio avokatore do të ndërtojë strategjinë e saj, por duhet të theksoj se ne nuk jemi në luftë me kompanin Bankers.

Ne jemi të interesuar që me Bankers edhe me ndryshimin e strategjisë ku së fundmi është blerë nga Geo-Jade, një kompani shtetërore kineze, për të cilën ne jemi të bindur se do të rrisë në mënyre drastike investimet në këtë fushë.

Ne jemi të interesuar të rrisim investimet, të normalizojmë çdo marrëdhënie me kompaninë Bankers. Por duke iu nënshtruar ligjit shqiptar e marrëveshjes së hartuar për të rregulluar këtë marrëdhënie, por edhe licencë-marrëveshjen. Kështu që gjithë interesimi ynë është për të normalizuar këtë marrëdhënie, për të realizuar interesat e shtetit shqiptar dhe publikut që kompania të zhvillojë aktivitetin e saj në mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, por të paguajë edhe detyrimet palës shqiptare.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy