Gazetari Lorenc Rabeta thotë se çmimet e bursës për naftën në tregun shqiptar reflektohen vetëm në rast ngritje dhe jo ulje.
Për “MCN Economy” ai deklaroi se aktualisht çmimi i naftës është 60 dollarë për fuçi, por se çmimi është ulur vetëm me 8 lekë në raport me majin e vitit 2024 kur çmimi shkoi 87 dollarë fuçia.
Kemi pasur një moment në maj 2024 ku shkoi 87 dollarë fuçia. Tregtarët shqiptarë nxituan që nga 175 lekë ta rrisin në 183, 185 lekë të nesërmen, me arsyetimin se u rrit në tregjet globale.
Sot e kemi çmim 175 lekë. Në tregun tonë është ulur vetëm me 8 lekë, edhe pse çmimi është 60 dollarë për fuçi. Është një sjellje e përhershme e kompanive shqiptare.
E rrisin çmimin menjëherë brenda pak ditësh, sapo rritet në tregjet ndërkombëtare dhe as e ulin, ose e ulin me shumë vonesë, kur ulet në tregjet ndërkombëtare.
Vetëm ngritjet e çmimit janë në unison brenda një nate, ndërsa uljet bëhen brenda disa ditësh.
Qeveria shqiptare ka 3-4 vitet e fundit që përkojnë me disa hetime të Autoritetit të Konkurrencës që del me sufiçit buxhetor mbi planin si pasojë e çmimit të lartë të naftës.
Tregu i hidrokarbureve është një prej burimeve kryesore që grumbullohen 600-700 milionë euro mbi planin nga qeveria.
Qeverisë i vjen shumë ëmbël që këta importues të operojnë me çmime të larta. Qytetarëve nuk iu intereson.
Por preket dhe ai që nuk ka makinë, se çmimi i naftës reflektohet në çmimin e çdo produkti.



