Pedagogia Ana Vuksani tha në “Mcn Economy” se rënia e bujqësisë lidhet me uljen e buxhetit, kreditimin e papërfillshëm, kostot e larta të prodhimit, dhe mungesa e fondeve të IPARD-it. Vuksani theksoi se skemat e subvencionimit ka ndikuar në rënien e numrit të kafshëve. Vuksani tha që bujqësia është kthyer në sektor të pensionistëve dhe problemi më i madh është që fermerët janë kthyer në konsumatorë, ku edhe mishin po e blejnë në supermarket.
“Rënia e sektorit bujqësor është një spirale e ndërlidhur me disa faktorë, në 2024 kishim një ulje prej 5 për qind të buxhetit për bujqësinë. Duke menduar që bujqësia kontribuon në GDP 18 deri në 20 për qind. Një faktor tjetër është kreditimi, ku bujqësia merr vetëm 0,78 për qind të kredive në vitin 2024.
Ky kreditim kaq i ulët nga bankat, kaq i papërfillshëm vjen nga disa faktorë, pasi kemi probleme me tokat, me pronësinë dhe sektori është pa çati dhe me risk të lartë për financimin. Faktor tjetër janë kostot e larta të prodhimit dhe rritja e imputeve bujqësore, pagesa për një punëtor ulliri shkoi vitin e kaluar në 40-50 mijë lekë të vjetra për shkak të mungesës së krahut të punës, faktor tjetër kushtet klimatike dhe mungesa e fondeve të IPARD-it.
Përveçse nuk morëm një pjesë të IPARD 2, Kemi humbur shansin për të kapur fondet për IPARD 3. Jemi me zero euro për IPARD 3, ndërkohë që Serbia, që është kthyer në mbretëreshën e importeve të produkteve bujqësore në Shqipëri, ka marrë 298 milionë euro. Rënia më drastike është që në 10 vitet e fundit ka një rënie 37 për qind të lopëve dhe të imëta, një shifër që për mua është 50 për qind.
E kemi të pamundur të gjejmë dhe ushqehemi me produkt vendas, mish, vezë, etj., për arsye të thjeshtë se subvencionimi s’është as cilësor. Skemat e subvencionimit ka ndikuar në rënien e numrit të kafshëve. Blegtoria është totalisht në rënie të lirë. 150 mijë hektarë tokë mbeten djerrë për shkak të mos ujitjes. Bujqësia është kthyer në sektor të pensionistëve. Problemi më i madh është që fermerët janë kthyer në konsumatorë, po e blejnë mishin në supermarket”.



