Përveç rritjes së taksës me normë më të lartë dhe se përpara pandemisë, një tjetër padrejtësi që po u bëhet profesioneve të lira është parapagimi dhe mosnjohja e shpenzimeve.
Neni 14 i ligjit për tatimin mbi të ardhurat që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti, lejon që në bazë të kategorive, një pjesë e mirë e bizneseve të zgjedhin shpenzimet të zbritshme pa e justifikuar me fatura të tyre në një përqindje të caktuar.
Për të vetëpunësuarit lejohet që 30% e xhiros të njihet shpenzim. Pra ligji ia le në dorë tatimpaguesit që të zgjedhë vetë metodën e zbritjes së shpenzimeve, ose të pranojnë regjim të veçantë ku shpenzimet zbriten apriori ose të çojë vetë fatura.
Shpenzimet janë të rëndësishme, sepse taksa 15 dhe 23%, do të vendoset mbi rezultatin e të ardhurave që ka marrë biznesi minus kostot që ka shpenzuar për aktivitetin e tij.

Në njoftimin që i ka dërguar tatimpaguesve, tatimet llogaritin që do të paguhet tatimi 15% ose 23%, mbi shpenzimet që kanë deklaruar një vit më parë, kur interesi për t’i hedhur në sistem ato fatura ishte minimal sepse taksa ishte zero dhe nuk tregojnë bazën reale të tyre.
“Duke qenë se viti 2024 është viti i parë i zbatimit të ligjit të ri, këstet bazohen mbi deklarimin e fitimit të vitit 2023, deklarimi për të cilat kryhet sipas përcaktimeve të ligjit të vjetër për “Tatimin mbi të Ardhurat”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
“Nëse ne hapim një nipt të ri tatimi mbi të ardhurat projektohet mbi vitin pasardhës dhe jo për vitin aktual. Shteti gjykoj se është nxituar për profesionet e lira. Ka dhe mbivendosje të koncepteve fiskale sepse ligji i ri i njeh 30% të të ardhurave si shpenzimeve, kurse për vitin e parë marrin si bazë shpenzimet e një viti më parë, ka kakofoni ligjore”, sqaron pedagogu i Ekonomisë Gjergji Tafa.
Pra nëse një inxhiner ka marrë të ardhura në vlerën 30 mijë euro, ka të drejtë të ulë 30% të kësaj shume si shpenzime dhe të paguajë 3150 euro taksë vjetore. Tatimet në bazë të shpenzimeve të deklaruara një vit më parë që rezultojnë 4 mijë euro, kërkojnë 3900 euro taksë. Kjo taksë do të parapaguhet këtë vit, ndërsa rakordimi do të bëhet vitin e ardhshëm.
Sipas përllogaritjeve të tatimeve, bizneset duhet të parapaguajnë nga 600 deri në 1,000 euro në muaj tatim për vitin 2024, mbështetur te të ardhurat dhe shpenzimet e deklaruara për 2023.
Kontabilistët dhe juristët vlerësojnë që jo vetëm përmbajtja juridike e vlerësimeve është e gabuar, por edhe llogaritja për këstet e parapagimit të tatimit. Këtë vit ata madje do të paguajnë 12 këste në 9 muaj dhe jo në 12 pasi sistemi u implementua me vonesë.
“Një sistem që bazohet në atë që është deklaruar një vit më parë kur tatimi ishte zero dhe që sigurisht që nuk ka patur interes askush të raportojë në mënyrë rigoroze shpenzimet. Dhe kjo pikë e aktit normativ është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese”, thotë avokati dhe këshilltari ligjor i grupit të PD në Kuvend, Marash Logu.
Nga ana e saj qeveria nuk tërhiqet, madje në fund të vitit miratoi me shpejtësi një akt normativ i cili i jep të drejtë Drejtorisë së Tatimeve të matë shpenzime të zbritshme për këtë vit, fatura e vitit 2023.
“Kjo urgjencë për miratimin e aktit normativ lind si shkak i pamundësisë kohore të zhvillimit të sistemit c@ts, për t’u përshtatur me ligjin e ri. Mungesën e kohës në dispozicion për implementimin e procedurës së zakonshme ligjore, mungesë kohe, e cila rrezikon më pas implementimin e ligjit nga 1 janari i vitit 2024”, thuhet në RELACION, AKTI NORMATIV PËR LIGJIN E TATIMIT MBI TË ARDHURAT.
Ministri i Financave krahasoi të ardhurat e tyre me ato të bankat, ndërsa ishte i vendosur se kjo kategori do të duhet që të nisë të paguajë.
Por krahasimi që Ministri Ervin Mete u bëri profesioneve të lira me pronarët e bankave nuk është tërësisht i saktë. 29 mijë profesionistë të lirë kanë patur xhiro 850 milion euro (pa llogaritur këtu shpenzimet), kanë marrë mesatarisht 29 mijë euro në vit ose 2440 euro në muaj. Ndërsa bankat kanë patur 1 miliard euro të ardhura dhe kanë rezultuar me 280 milion euro fitim, ose 25.4 milion euro për bankë!
Kjo nisëm ka nisur që të sjellë efektet e para. 3600 firma të personave fizikë janë pezulluar, ndërsa zyra të tjera kanë rritur çmimet e tarifat për shërbimet ndaj qytetarëve. Një pjesë tjetër profesionesh, kryesisht të fushës së teknologjisë së informacionit po zhvendosen në vende të tjera dhe të tjerë po kërkojnë mënyra sit ë shmangin pagesën e taksës.
Taksimi i profesioneve të lira projektohet nga ministria e Financave që të sjellë 90 milion euro në buxhetin e këtij viti, gati 1.2% të të ardhurave tatimore, nivel që konsiderohet inefektiv për të vënë në dispozicion punën e administratës tatimore.
“Kjo i ka hapur rrugën tatimeve që të mbushë arkën e shtetit me para, por që duhet thënë janë borxh, por pa interes. Parapagimi është një borxh që shteti e merr në formë arbitrare dhe ajo që do të prodhojë është mbyllja e biznesit, largimi nga Shqipëria, rritja e çmimeve dhe evazioni. Pra dhe 2 lekë që shteti merrte sot, nuk do i marrë, dhe kjo është më e rrezikshme”, thotë eksperti i Ekonomisë Pani Soko.
Këtë duket se në prag të zgjedhjeve të vitit 2025 e ka kuptuar dhe kryeministri Edi Rama, i cili në një takim që zhvilloi në Shtëpinë e Biznesit javën e kaluar, këshilloi tatimorët që të mos kontrollojnë bizneset e rregulla dhe të mos kenë synim vendosjen e gjobave dhe penaliteteve, por edukimin dhe paralajmërimin e tyre, një pankartë që përdor shpesh prej vitit 2013 kur erdhi në krye të qeverisjes së vendit.



