
Pas disa vitesh këmbëngulje duket se qeveria është dorëzuar për sistemin ‘Bonus-Malus’, i cili cakton primin e sigurimit të automjetit bazuar në historikun e dëmeve- dhe përfshirjen e tij me detyrim në përcaktimin e primeve të sigurimit të përgjegjësisë për dëmet shkaktuar palëve të treta.
Drafti i ri i përgatitur së fundmi, ‘Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit’, thotë se kompanitë mund të përfshijnë sistemin ‘Bonus-Malus’, por kjo nuk është e detyrueshme.
Në nenin 7 të këtij projektligji, për tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm, thuhet se kompanitë e sigurimit i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike. Ndërkohë në pikën 8 të këtij neni qartësohet se “Shoqëria e sigurimit mund të përfshijë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primeve të sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti motorik, me përjashtim të policës kufitare dhe kartonit jeshil”.
Në draftin e mëparshëm të përgatitur një vit më parë nga AMF-ja në këtë projektligj thuhej se ‘Bonus-Malus’ ishte me detyrim dhe jo me dëshirë.
Por çfarë është më konkretisht sistemi ‘Bonus-Malus’? Ai është një sistem për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit. Sistemi bonus-malus, është një nga faktorët e riskut, të cilin shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë në tarifimin e sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit të mjetit motorik, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
Shoqëria e sigurimit është e detyruar t'u vërë në dispozicion të siguruarve çertifikatën e historikut të dëmeve sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes të përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti", thuhet në projektligjin e ri.
Çështja e sistemit ‘Bonus-Malus’ është përfolur prej vitesh, më konkretisht nga 2015, pasi përfshirja e tij shihet si një mënyrë për të nxitur drejtimin e përgjegjshëm të automjetit duke pasur si efekt uljen e numrit të aksidenteve. Bonus-Malus ka në thelb filozofinë e vendosjes së primeve më të larta për drejtuesit e automjeteve me historik aksidentesh apo drejtues që marrin një automjet për herë të parë teksa shpërblen me prime më të ulëta sigurimi ata drejtues automjetesh që kanë historik jo problematik me aksidente.



