
Partia Demokratike paraqiti sot disa propozime për të nxitur prodhimin vendas dhe frenuar falimentimin e fermerëve pasi ngriti pretendimin se bujqësia ndodhet në krizë.
Përmes kryetarit të PD Lushnjë, Eduart Sharka, PD shprehet se në kontekstin e krizave botërore, dhe situatës së vështirë ku ndodhet sot bujqësia, vlerëson si emergjente marrjen e disa masave të menjëhershme për të nxitur prodhimin vendas dhe frenuar braktisjen e bujqësisë dhe të zonave rurale.
Në propozimet e PD-së i kërkohet qeverisë të alokojë fondin e mjaftueshëm për të furnizuar me naftë pa taksa edhe fermerët e mbetur jashtë aplikimeve.
“Për nxitur mbjelljet e sezonit të vjeshtës, i kërkojmë qeverisë të alokojë fondin e mjaftueshëm për të furnizuar me naftë pa taksa 50%-shin e ngelur të fermerëve të cilët kanë aplikuar, janë shpallur fitues dhe nuk përfitojnë për mungesë të fondeve. Të dyfishojë kuotën mbështetëse për një Ha të mbjellë me grurë, nga 30 mijë në 60 mijë lekë, dhe të heqë kriteret diskriminuese si ai që përfitojnë vetëm ata që mbjellin mbi një hektarë, sepse vetëm ky kriter përjashton mbi 70% të fermerëve nga kjo skemë”, u shpreh ai.
Po ashtu, PD kërkon heqjen e burokracive, korrigjimin e ligjit për politikën fiskale.
Gjithashtu të shmangen burokracitë e tjera, që i kushtojnë fermerit me shumë se tarifa që do të përfitojë. Plotësimin me fondin e nevojshëm të skemës mbështetëse për blegtorinë për të paguar 50%-shin e mbetur të blegtorëve të kualifikuar. Aktualisht kanë aplikuar 6 mijë blegtorë dhe viza e kuqe është te numri 3 mijë. Korrigjimi i menjëhershëm i politikave fiskale që prekin sektorin e bujqësisë: Korrigjimin e ligjit për TVSH-në duke barazuar shkallën e TVSH në shitje me atë në blerje për qarkullim e brendshëm të produkteve bujqësore e blegtorale që furnizohen nga prodhuesit me statusin “Fermer”. Për këtë “gafë fiskale” të qeverisë sot një konsumator shqiptar kur blen një produkt fermeri në treg te formalizuar paguan 22-27% TVSH kur duhet të paguaj vetëm 20% dhe një subjekt tregtar që furnizon këtë produkt paguan 20% tatim mbi xhiron, në vend që të paguajë 20% tatim mbi vlerën e shtuar. Pikërisht për këto arsye qarkullimi i brendshëm i këtyre produkteve është 90% informal. Njohjen si të kreditueshme të TVSH-së së paguar në blerje për eksportuesit e produkteve bujqësore që furnizohen nga prodhuesit me statusin “Fermer”. Zerimin e TVSH -së për imputet bujqësore që aktualisht është 10%. Ndërkohë që të gjitha qeveritë e botës bëjnë ulje të barrës fiskale për prodhuesit bujqësor, kjo qeveri bën të kundërtën. Heqjen e 5% Tatim Fitimi për SHBB (Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor) dhe njësim të statusit të tyre me statusin fiskal të prodhuesit me status “Fermer”.



