Kosova paralajmëron krizë energjetike për sezonin e dimrit

Kosova paralajmëron krizë energjetike për sezonin e dimrit

 Kosova po bëhet gati për një dimër sfidues për shkak të krizës energjetike në botë dhe rritjes së çmimit të importeve që janë të domosdoshme meqë vendi nuk i përballon dot nevojat me prodhimin e brendshëm, raporton VOA.

Në Kosovë autoritetet thonë se dimri i këtij viti pritet të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe çmimeve të larta të importeve.

Qeveria ka miratuar masa emergjente që përfshijnë edhe kursimin e energjisë elektrike, pjesa më e madhe e së cilës gjatë dimrit shpenzohet për ngrohje.

 Zëdhënësi i Kompanisë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë, Viktor Buzhala, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se aktualisht çmimi mesatar i energjisë është 500 euro për një megavat, një çmim pesë herë më i lartë se vitin e kaluar.

 Tani çmimet janë në qiell dhe është shumë e vështirë edhe të sigurohet energjia elektrike edhe me këto çmime. Ne kemi konkurruar disa herë në berzat ndërkombëtare dhe vazhdimisht kemi një ofertë apo nuk kemi ofertë fare, që do të thotë energjia elektrike në Evropë është bërë mall i rrallë. Kur e përfshijmë këtu edhe çmimin i cili gjatë mesit të muajit korrik shënoi rekord, edhepse jemi në stinën e verës ku çmimet janë zakonisht më të ulta, atëherë këta janë indikatorë se na pret një dimër mjaft i vështirë.

 Zoti Buzhala tha se gjatë dimrit mbi 70 për qind e energjisë elektrike shpenzohet për ngrohje.

 Në fillim të muajit, qeveria e Kosovës miratoi disa masa emergjente për shpenzimin e energjisë, që përfshijnë “ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe masa për kursimin e energjisë elektrike nga të gjitha institucionet”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, pasi sipas saj, ky dimër do të jetë i jashtëzakonshëm.

Dimri i ardhshëm është tejet i vështirë për Evropën, kjo do të na ndikojë edhe neve në masën që ne kemi nevojë për import të energjisë… Në këtë aspekt është mirë që edhe ne të jemi të vetëdijshëm për çfarë vështirësitë që po na presin.

Ne jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat që janë të nevojshme dhe të realizueshme brenda një periudhe të shkurtër. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet në mënyrë që ndërhyrjet në blloqet A dhe B të përfundojnë para dimrit që të minimizohet mundësia për avari. Nga ana tjetër duhet të kursejmë energji. 

Duhet të kursejmë energji, sa i përket masave që po marrim si qeveri. Kursimi i energjisë elektrike do të jetë kyç gjithashtu, secili prej nesh në shtëpitë tona duhet të bëjmë maksimumin.

Kosova është njëra nga vendet më pak të përgatitura për t’u përballur me krizën energjetike. Dimrin që shkoi zbatoheshin reduktime të vazhdueshme.

 Aktualisht në Kosovë 95 për qind e energjisë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra dhe vetëm pesë për qind nga burimet e ripërtërishme si dielli, era apo uji. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy