Që nga viti 2018 e deri më sot, në krye të kompanisë Albpetrol kanë qenë 11 administratorë.
Në janar 2018 është liruar nga detyra Endri Puka dhe është emëruar Kastriot Bejtaj. Puka mbajti detyrën e administratorit të Albpetrol për 5 vjet, që nga shtatori i vitit 2013. Pas emërimit në janar 2018 të Kastriot Bejtaj, në 5 mars të 2019-s administrator i kompanisë bëhet Dritan Spahiu. Pas 6 muajsh Spahiu është liruar nga detyra dhe është emëruar Eriola Muka. Edhe Muka e mban vetëm 7 muaj detyrën. Në prill të vitit 2020 në krye të kompanisë shkon Gent Gazheli, por dhe ai qëndron deri në shtator të të njëjtit vit. Pas tij zgjidhet Baftjar Zeqaj, e pas tij Flamur Mato, për t’ia lënë detyrën Florian Muçajt, ky i fundit arrestohet për aferën e inceneratorit të Fierit. Vendin e Muçajt tashmë e zë përkohësisht Alketa Hila dhe pas saj Klejdi Cenmurati, i cili qëndron vetëm 6 muaj dhe në tetor të vitit të shkuar emërohet Eltar Deda, ish deputet i Partisë Socialiste. Ndër vite ekspertët shohin se kompania është lënë gjithnjë e më shumë në dorën e interesave politikë duke zgjedhur dhe menaxherë që kanë profil të tillë pa patur si qëllim administrimin profesional dhe nxjerrjen me fitim të saj.
“Menaxhohet nga njerëz që nuk kanë lidhje me fushën e naftës, me profesionizmin, shumica e tyre kanë qënë njerëz politikë dhe kanë bërë atë menaxhim që ne e dimë.” thotë gazetari i Ekonomisë Klodian Tomorri.
Kompania përdoret më shumë si një ndërmarrje punësimi se sa si një firmë që menaxhon pasuri nafte në vlerën e miliardave euro. Sot kompania paguan borderotë e saj 1800 punonjës, kur nuk prodhon më shumë se 80 mijë ton naftë në vit. Përkundër kësaj, “Bankers Petroleum” prodhon çdo vit 600 deri në 800 mijë ton naftë dhe paguan 500 punëtorë. Bankers ka 4 herë më pak punonjës se Albpetrol dhe prodhon 7 herë më shumë naftë. Shpenzimet për paga të kompanisë Albpetrol arrijnë në 12 milion euro në vit, duke zënë zërin më të lartë në buxhetin e saj. Ky është rasti i vetëm në botë, që një kompani e nxjerrjes së naftës ka shpenzime më të mëdha për rroga, se për investime dhe operacione hidrokarbure.
“Po të funksiononte si një ndërmarrje tregtare dhe jo si një kompani për punësime elektorale në zonë, ky raport nuk do të ishte kështu”, thotë gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri.
“Është problematikë më vete dhe me risk të lartë adminsitratorët që ndrrohen 2 deri në 3 herë brenda viti dhe ka forcë punëtore më shumë se i nevojitet.” thotë Eduart Gjokutaj, ekspert i qendrës Altax.
Në buxhetin e miliona eurove të pagave, administratorët kanë shpërblyer punën e tyre me 500 mijë lekë në muaj, rrogë dy herë më e lartë se e presidentit dhe kryeministrit, dhe 3 herë më e lartë se e ministrit përgjegjës të këtij sektori.
Pagat në kompanitë e naftës janë të larta, e mund të jenë dhe më shumë se ato të drejtuesve të Albpetrol, por shpërblimi i drejtorëve të saj në vite është bërë për ta shpënë kompaninë në greminën e humbjeve dhe borxheve dhe jo në atë të fitimeve!



