
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po thellojnë bashkëpunimin doganor përmes hartimit të një protokolli të ri për zbatimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare mbi Kontrollet e Përbashkëta Kufitare.
Nisma synon rritjen e efikasitetit të kontrolleve, lehtësimin e tregtisë dhe uljen e kohës së pritjes në pikat kufitare.
Gjatë një vizite në pikën e përbashkët kufitare Qafë Thanë–Qafasan, delegacionet e kryesuara nga drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, dhe drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, së bashku me përfaqësues të OSBE-së, diskutuan mbi zbatimin praktik të marrëveshjes dhe finalizimin e protokollit të ri.
Sipas Administratës Doganore Shqiptare, dokumenti do të harmonizojë procedurat doganore, do të forcojë kontrollet e përbashkëta dhe do të përmirësojë koordinimin ndërmjet dy administratave, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe objektivat e integrimit rajonal.
Protokolli pasqyron angazhimin e përbashkët të dy vendeve për modernizimin e procedurave kufitare, rritjen e efikasitetit operacional dhe lehtësimin e tregtisë dhe lëvizjes së udhëtarëve.
Gjithashtu, ai synon të shkurtojë kohën e pritjes në kufi dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, si edhe në avancimin e procesit të integrimit evropian të rajonit.



