Banka Botërore thotë se lufta në Ukrainë do ngadalësojë rritjen ekonomike dhe çmimet e larta do ulin konsumin.
Në raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor, paralajmërohet se inflacioni pritet të jetë 5% dhe nëse lufta zgjat do ketë rritje të mëtejshme të çmimeve.
Borxhi publik mund të përkeqësohet si pasojë e rreziqeve të shtuara prej luftës. Shkalla e varfërisë për vitin 2021 ishte 22%, pritet ulje në 19.4% për këtë vit.
Konsumi pritet të ulet këtë vit nga 4.5% në vitin e shkuar në 2% këtë vit. Investimet e huaja do të rriten këtë vit me 0.3%, nga 4.8% që u rritën në vitin e kaluar.
Sipas skenarit bazë, raporti nënvizon se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 202 dhe se kjo mbështetet në supozimin se faza më kritike e krizës do të arrijë të zbutet në tremujorin e dytë të 2022, edhe nëse efektet e sanksioneve vazhdojnë gjatë gjithë vitit 2022, madje edhe në vitin 2023.
Megjithatë, kriza në Ukrainë, në rast se zgjat, mund të ndikojë në ekonominë shqiptare nëpërmjet disa kanaleve të transmetimit. Çmimet e larta të mallrave, veçanërisht të naftës dhe drithërave, pritet të jenë kanali kryesor i transmetimit të goditjeve. Në përgjithësi, lidhjet e drejtpërdrejta të tregtisë, remitancave dhe emigracionit me Rusinë dhe Ukrainën janë të vogla, dhe përbëjnë më pak se 3 për qind të totalit.
Megjithatë, Rusia dhe Ukraina janë prodhues dhe eksportues shumë të rëndësishëm të disa mallrave, të cilat janë me rëndësi jetike për shqiptarët, përfshirë drithërat. Çmimet e larta të energjisë pritet të çojnë në rritje të çmimeve të transportit dhe të shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve tek mallrat e tjerë të shportës së konsumit.
Inflacioni pritet të përshpejtohet në rreth 5 për qind në vitin 2022 krahasuar me parashikimin prej 3 për qind sipas skenarit të zhvilluar para konfliktit. Me rritjen e kostove të importit, deficiti i llogarisë korente ka të ngjarë të rritet në 9.6 për qind të PBB-së.
Duke qenë se çmimet e larta ndikojnë në rënien e fuqisë blerëse të familjeve dhe rritjen e kostove për bizneset, edhe parashikimet për rritjen ekonomike janë gjithashtu më të ulëta. Nëse rritja e çmimeve të energjisë reflektohet në rritje të çmimeve të importit të energjisë elektrike, kjo goditje mund të përkeqësojë situatën financiare të NSH-ve të energjisë elektrike. Kjo mund të rrisë rreziqet fiskale nga këto ndërmarrje.



