Vuksani: Bllokimi i IPARD goditje e rëndë për bujqësinë, Ministria e Financave bashkëfajtore

Vuksani: Bllokimi i IPARD goditje e rëndë për bujqësinë, Ministria e Financave bashkëfajtore

Deklaratat e fundit nga Ministria e Bujqësisë dhe zyrtarë të lartë kanë rikthyer në vëmendje çështjen e fondeve IPARD, programi i Bashkimit Europian që mbështet zhvillimin rural dhe fermerët shqiptarë. Megjithatë, pavarësisht toneve optimiste, ekspertët e shohin situatën me më shumë rezervë.

 

I ftuar në MCN Economy, profesori Gjok Vuksani e cilësoi bllokimin e fondeve IPARD si një goditje të rëndë për sektorin bujqësor në vend.

 

Duhet të pranojmë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë institucionale. Fermeri shqiptar ka tre vite që nuk mbështetet nga fondet IPARD. Deklaratat e Ministrisë së Financave duken si një përpjekje për të justifikuar një proces që tashmë ka dështuar.

 

Ai theksoi se Ministria e Financave mban një pjesë të konsiderueshme përgjegjësie për bllokimin e fondeve, duke e cilësuar atë si “një nga bashkëfajtorët kryesorë” në këtë proces. 

 

Sipas tij, procedurat për zhbllokimin e fondeve nuk janë të ndërlikuara, por kërkojnë koordinim mes institucioneve përkatëse, si Ministria e Financave, AZHBR dhe Ministria e Bujqësisë.

 

Janë procedura që duhen ndjekur për të marrë dritën jeshile. Nga eksperienca ime, nuk është diçka e pamundur. Shpresoj që fondet IPARD të hapen sa më shpejt.

 

Duke u ndalur te problematikat që çuan në këtë situatë, Vuksani nënvizoi se abuzimet janë konstatuar kryesisht në skemën IPARD II. Sipas tij, rreth 33 milionë euro dyshohet se janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme, jashtë kritereve të Bashkimit Europian, përmes faturave dhe ofertave fiktive.

 

Të gjitha këto janë cilësuar nga BE si investime të paligjshme dhe kërkohet kthimi i tyre. Bëhet fjalë për rreth 33 milionë euro që duhet të rikuperohen.

 

Një nga çështjet kryesore që mbetet ende pa përgjigje është se kush do të mbajë barrën e kthimit të këtyre fondeve: shteti shqiptar apo subjektet që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme.

 

Ministria e Financave duhet të gjejë një zgjidhje praktike që këto fonde të rikuperohen nga ata që kanë abuzuar, dhe jo nga taksapaguesit shqiptarë. Është thelbësore që përgjegjësia të jetë individuale.

 

Sipas tij, rikthimi i fondeve mund të realizohet vetëm përmes rrugës ligjore, çka e bën procesin edhe më të ndërlikuar dhe të zgjatur në kohë.

 

Në këto kushte, ndërsa qeveria flet për rifillim të programit, ekspertët paralajmërojnë se zgjidhja e ngërçit kërkon më shumë sesa deklarata optimiste: kërkon transparencë, përgjegjësi dhe veprime konkrete institucionale.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy