“Ne kemi kosto dhe çmime europiane me rroga shqiptare”. Kështu tha për emisionin “MCN Economy” ekspertja e çështjeve të punësimit Gertjana Hasalla, duke komentuar pagën mesatare 830 euro në muaj.
Ajo deklaroi se nuk është gjithmonë e thjeshtë të afrohesh në rritje pagash me sektorin publik, duke shtuar se rritja e pagave në administratë është bërë në mënyrë fiktive, edhe për të shkuar në një linjë me reformat.
Hasalla ngriti shqetësimin se shumica e sektorit privat, ka deklarim minimal të pagave, duke fshehur atë reale.
Për biznesin është pak më e vështirë të rrisë pagën mesatare, se duhet të kesh më shumë para, më shumë fitime, pasi shumica e sektorit privat ka deklarim minimal të pagës. Ne kemi kosto dhe çmime europiane me rroga shqiptare.
Shqiptari mesatar nuk ka mjaftueshëm para për të përballuar jetesën mujore. Për Shqipërinë më e pakta duhet të jetë 140 mijë lekë të reja në muaj, pa patur eksese dhe shpenzime shtesë.
Këtë shumë një përqindje shumë e vogël e ka, ndërsa pjesa tjetër has në vështirësi. Pse zgjedhin njerëzit të largohen, edhe pamundësia ekonomike ndikon në largim. Por edhe mungesa e shërbimeve si arsimi dhe shëndetësia.
Punonjësit e huaj zënë gati 2% të të punësuarve në vend, ajo që ka ndodhur është se shumë persona që janë tani në pension, ju duhet të rikthehen në punë, pasi kostoja e jetesës është aq e lartë, sa nuk e përballojnë dot jetesën.
Sot për sot për 100 pensionistë duhet të punojnë 117 persona, por sot për sot nuk funksionon kjo skemë, pasi ka më pak persona të punësuar se sa pensionistë.
Nëse duam rritje edhe ekonomia duhet të jetë formale. Shumica e sektorit privat ka pagë minimale të deklaruar dhe çfarë është deklaruar nuk është gjithmonë e vërteta.
Zgjidhja mund të jepet me një pagë reference, pasi në të kundërt e vendos tregu ose kompania në të cilën punohet.



