Dekani i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, Kapllan Sulaj ngre shqetësimin se prej disa viteve kemi një ulje të krerëve të popullatës së kafshëve, pasi kemi humbur shumë krerë gjedhë dhe po kështu bagëti të imëta.
Duke folur për “MCN Economy” ai tha se numri më i madh i uljeve është te gjedhët dhe ne nuk arrijmë të plotësojmë nevojat kombëtare me produktet shtazore.
Qumështi vjen nga rajoni i Europës, ndërsa mishi i kalon kufijtë e Europës. Thënë shkurt kemi një ulje të prodhimit vendas.
Kemi humbur rreth 400-500 mijë krerë nga sa kemi pasur në vitin 2013 kështu që humbja e numrit të popullatës së kafshëve, është humbje e pasurisë kombëtare. Siguria ushqimore nuk është një sistem që funksionon në mënyrë perfekte.
Vendi ynë është një vend në zhvillim dhe ka probleme të sigurisë ushqimore dhe do të ketë. Ajo që vihet re në Shqipëri është fakti se kemi përmirësime të sigurisë ushqimore në ambientet e shërbimeve, prej zhvillimit të infrastrukturës.
Por kemi probleme të kulturës së përgjithshme të ruajtjes së ushqimeve. Jo të gjithë qytetarët i njohin mirë rregullat e ruajtjes së ushqimeve. Shumë nga qytetarët kur nxjerrin produktin në treg nuk orientohen për të gjetur produktin që ruhet në kushte të përshtatshme.
Si zgjedhja e mishit nëpër dyqanet e mishit, ku shpesh konsumatori orientohet në mënyrë të gabuar, ku blejnë mish në një dyqan që nuk ruhet në frigorifer. Nëse mishi nuk ruhet për 2-3 ditë në frigorifer ai nis të dekompozohet.
Jo vetëm mishi, blerja e qumështit në rrugë, ku qumështi nuk ruhet në ambientet ftohëse.
Problem tjetër është dhe fakti që shumë persona bëjnë kontaminimin e kryqëzuar, me anë të duarve të palara dhe mjeteve të palara, transmetojnë rreziqet e mundshme nga një produkt në një tjetër, ose kontaminojnë sipërfaqet.
Zbatimi i normave higjienike dhe i standardeve të higjienës, janë elementë kyç në ruajtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Blegtoria duhet mbështetur si problem jetik për vendin tonë nga shteti shqiptar me subvencione.
Por ato mbështeten mbi numrin e krerëve dhe jo mbi prodhim.
Por shumë vende e mbështesin subvencionin në prodhimin dhe kjo çon automatikisht në stimulimin e prodhimit, por edhe përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë ushqimore.



