Eksperti i ekonomisë Pano Soko duke folur në “Mcn Economy” tha që situata me borxhin në Shqipëri është përmirësuar nga faktorë rrethanorë si zhvlerësimi i euros. Ai theksoi që rënia e borxhit s’ka ardhur si pasojë e përmirësimit të ekonomisë dhe mirëmenaxhimit të financave.
“Problemi është kur borxhi keqmenaxhohet. Kur keqadministron paratë e marra borxh, jo vetëm s’prodhojnë të ardhura, por të kthehen në barrë. Situata me borxhin ka ardhur duke u përmirsuar, por meritë të madhe për këtë ka një ngjarje e mbrapshtë, zhvlerësimi i euros. Ideja është nga ka ardhur përmirësimi i situatës. A ka ardhur si pasojë e përmirësimit të ekonomisë dhe mirëmenaxhimit të financave? Apo nga faktorë rrethanorë, që kanë disa efekte në ekonomi, që është rënia e euros. Kush e ka paguar rënien e euros? Eksporti, prodhimi shqiptar. Me të njëjtën ritëm që ka rënë euro, ka rënë edhe eksporti. Nuk është një rënie borxhi që vjen nga mirëperformanca dhe rritja e efikasitetit”.



