
1 Qershori njihet ndërkombëtarisht si Dita Botërore e Qumështit, e shënuar në vitin 2001 nga Kombet e Bashkuara.
Dita e Qumështit u shënua për t’i publikuar punët dhe aktivitetet e ndërmarrjeve të qumështit në mbarë botë, duke e konsideruar qumështin si lëng i konsumuar globalisht.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha sot në një aktivitet me blegtorë dhe aktorë të linjës se blegtoria shqiptare është në proces të rëndësishëm ristrukturimi, ku fermat e vogla po ia lënë vendin fermave të mëdha dhe mbështetja për këtë sektor është intensifikuar me grante dhe trajnime.
Krifca bëri një panoramë të zhvillimeve të këtij sektori, duke vënë theksin fillimisht tek rëndësia e qumështit për peshën që ka në konsum dhe në ekonominë bujqësore.
Ajo tha se qumështi është një produkt me rëndësi për të ardhurat ekonomike në fshat dhe prodhimin e përgjithshëm të bujqësisë.
Qumështi është pjesë e rëndësishme e dietës ushqimore të konsumatorit shqiptar. Sipas FAOSTAT mesatarisht 1 në çdo 6 kalori të konsumuara nga konsumatorët ofrohet nga qumështi dhe nënproduktet e tij, duke përbërë kështu një prej vendeve që konsumojnë më shumë qumështin dhe nënproduktet e tij midis të gjithë vendeve të rajonit (FAOSTAT).
Sot ka më shumë se 110 mijë ferma të cilat mbarështojnë gjedhin dhe më shumë se 58 mijë ferma të cilat mbarështojnë të imtat në shkallë vendi (të dhënat nga RUDA). Kjo tregon se një pjesë e madhe e fermerëve në zonat rurale e kanë të lidhur një pjesë të ushqimit dhe të ardhurave të tyre nga aktiviteti blegtoral.
Teksa u ndal në faktin, që zonat rurale janë shndërruar në atraksione për turistët e vizitorët, nga shfrytëzimi i më shumë se 2.1 milionë të imtave, të cilat ofrojnë disa prej produkteve më të spikatura të territoreve shqiptare.
Krifca tha se sektori është në moment të rëndësishëm ristrukturimi ku fermat e vogla blegtorale me një apo dy gjedhë po i lenë vendin fermave me më shumë se sa 10 krerë.
Ky fakt, nënvizoi ajo, tregon që blegtoria jonë ndodhet në një fazë të re në të cilën zinxhiri ka nevojë për t’u forcuar me qëllim përmirësimin e produktivitetit dhe vlerës së shtuar për aktorët e sektorit, rritjen e nivelit të sigurisë ushqimore në të gjithë hallkat e zinxhirit të vlerës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë e la 1 qershorin pasi para 2001-s, vende si Kina, tashmë po e festonin një ditë të qumështit.



