
Qeveria shqiptare po intensifikon bashkëpunimin me shtetin fqinj, Greqinë, për të bërë të mundur nisjen e negociatave për njohjen e pensioneve.
Në këtë kuadër, në Athinë, u zhvillua me sukses mbledhja e parë e komisionit të ekspertëve Shqipëri -Greqi për çështjet e sigurimeve shoqërore.
Ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, diskutimet teknike dhe shkëmbimi i informacioneve është një hap tepër pozitiv në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për arritjen e marrëveshjes në fushën e pensioneve.
Sipas saj, kjo do të materializojë parimin e mbrojtjes sociale për çdo qytetar, i cili ka kontribuar aktivisht në ekonomitë e të dy vendeve.
Sakaq, pritet të miratohet marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Zvicrës, pasi pak javë më parë kaloi për miratim në parlamentin e Zvicrës.
Kurse afro një muaj më parë, Shqipëria ka përfunduar negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë.



