Projektligji "Për Censin e Bujqësisë"/ Mziu: Jemi për një census që t'u përgjigjet nevojave të bujqësisë, jo vetëm për të prodhuar shifra për qeverinë

Projektligji "Për Censin e Bujqësisë"/ Mziu: Jemi për një census që t'u përgjigjet nevojave të bujqësisë, jo vetëm për të prodhuar shifra për qeverinë

INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore të mbjellë, fermat bujqësore dhe tufat e bagëtive, 15 vite pas Censit të fundit të Bujqësisë, të zhvilluar në vitin 2012.

 

Kryetari i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Blendi Klosi, theksoi se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi i zonave rurale dhe se të dhënat që do të sigurohen përmes Censit të Bujqësisë, i cili do të nisë në tetor 2026, do të publikohen në vjeshtën e vitit 2027.

 

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i komisionit, Xhelal Mziu, u shpreh se opozita mbështet zhvillimin e një censi, por ai duhet të pasqyrojë gjendjen reale të sektorit dhe t'i shërbejë hartimit të politikave konkrete për bujqësinë.

 

Censi është një domosdoshmëri. Ai duhej të ishte realizuar më herët, pasi censi i fundit është zhvilluar në vitin 2012. Edhe pse me vonesë, është pozitive që po tentohet të zhvillohet një census i ri.

 

Edhe nëse sot i drejtohemi Ministrisë së linjës, nuk ka informacion të saktë dhe statistika koherente për sipërfaqen reale të tokës bujqësore, kulturat e mbjella apo gjendjen e blegtorisë.

 

Sot bujqësia është një sektor në regres. Kontributi i saj në ekonomi ka rënë në rreth 15%, ndërsa mungesa e të dhënave të sakta nuk ndihmon në pasqyrimin e situatës reale.

 

Ne jemi për një census real, që të evidentojë problematikat dhe t'i japë mundësi qeverisë të ndërmarrë politika për zgjidhjen e tyre.

 

Pyetja ime është: mbi çfarë është bazuar përcaktimi i penaliteteve kaq të larta në projektligj?

 

Po ashtu, lidhur me konsultimin publik, në materialin që kemi përpara nuk bëhet e qartë se cilat kanë qenë grupet e interesit që janë konsultuar, nëse kanë marrë pjesë fermerët, shoqatat apo përfaqësues të biznesit, në mënyrë që ky projektligj t'u shërbejë realisht problemeve që po përjeton bujqësia shqiptare.

 

Bujqësia përballet edhe me shumë sfida të tjera dhe mbetet për t'u parë nëse ky census do të shoqërohet me reforma konkrete. A do të lidhet ai me reformën e subvencioneve, për të cilën Shqipëria renditet ndër të fundit në rajon?

 

Po përballemi me një hemorragji të zbrazjes së zonave rurale dhe rënies së blegtorisë. A do të shoqërohet ky proces me një reformë të subvencioneve? 

A do të krijohet një regjistër i besueshëm dhe i përditësuar, që Ministria dhe drejtoritë përkatëse të kenë një panoramë të saktë për sipërfaqet e tokës dhe numrin e bagëtive në çdo bashki dhe në rang kombëtar, në mënyrë që të analizohen tendencat dhe të merren masat e nevojshme?

 

Ky census nuk duhet të shërbejë thjesht për të prodhuar një shifër përfundimtare. Ai duhet të jetë një instrument që ndihmon qeverinë të hartojë politika sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe t'u përgjigjet nevojave reale të bujqësisë shqiptare.

 

Ndërkohë, fondet e IPARD-it mungojnë prej tre vitesh, duke e vështirësuar edhe më tej situatën e sektorit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy