Kryetarja e shoqatës së biznesit të vogël për Tiranën, Blerina Gjyriqi thotë se statistikat tregojnë se tregu i punës është në vështirësi dhe se mungesa e punëtorëve po reflektohet dhe në administratën shtetërore.
Nga studio e “MCN Econony” ajo deklaroi se pikërisht mungesa e fuqisë punëtore, ka ndikuar edhe në mbylljen e mijëra bizneseve, krahas një sërë problematikash të tjera.
Gjyriqi shtoi se ikja e trurit është një kambanë alarmi, pasi qeveria nuk ka asnjë formulë se si të zëvendësojë këtë ikje punëtorësh.
Mungesat që janë në bizneset private janë referuar dhe në administratën shtetërore edhe pse numrat tregojnë që administrata është e mirëngopur. Në biznese ka mungesë të theksuar të profesionistëve, sidomos në sektorë si hidraulikë apo marangoz.
Kjo reflektohet edhe prej largimit të afro 1 milionë banorëve në dhjetë vitet e fundit. Shifra prej 19 mijë lejesh qëndrimi janë dhënë gjatë vitit 2024 për të rinj shqiptarë për arsye pune në BE dhe në tre vite janë dhënë rreth 60 mijë leje punë, është shifër që ka një peshë shumë të madhe në tregun e punës.
Po na ikën truri dhe kjo është kambanë alarmi se qeveria nuk ka asnjë formulë si të zëvendësojë këtë ikje punëtorësh, pasi këta punëtorë të huaj që po vijnë nuk janë të trajnuar.
Problem shoh edhe pjesën e gjuhës me këta punëtorë, për përshtatje. Kjo është vërtetë një kambanë alarmi që qeveria duhet të marrë incentiva të ndryshme për largimin e trurit. Kur jepen 60 mijë leje pune kjo është një shifër e ekzagjeruar për numrin e popullsisë që kemi.
Më shumë se 1/3 e bizneseve të vogla janë mbyllur, 60 mijë biznese, kjo do të thotë se reflektohet nga mungesa e fuqisë punëtore, taksat shumë të larta ndaj biznesit të vogël. Këto janë kosto të fshehura që vetëm bizneset e dinë.
Mosha e tretë pavarësisht se është shumë e lartë në numër 120 mijë, nuk është asnjëherë zëvendësuese e moshës së re, që kanë lëvizur.
Rinia dhe truri në ditët e sotme emigron, pasi këtu në Shqipëri nuk ka stabilitet financiar, se pretendimet për rritje rrogash janë flluska sapuni, të cilat i ndjejnë sidomos çiftet e reja. Por edhe rritja e çmimeve ka kaluar në ekstrem.
Me çmime për apartamente ne kalojmë Milanon dhe një financier, ekonomist, inxhinier, e ka më të sigurt të fillojë jetën në Bashkimin Europian se sa në vendin tonë. Frenimi i të rinjve nuk ndalet, pasi pagat nuk janë rritur në proporcion me inflacionin.
Se ne e dimë që 40% e të ardhurave familjare janë vetëm për produktet e shportës. Me çmimet që janë është vështirë që të përballohet jetesa.



