Teksa komisioni hetimor për inceneratorët vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve për të zbardhur këtë aferë korruptive, në dritë dalin fakte të reja.
Në seancën e kësaj të marte, ishte njëri prej dy administratorëve të incineratorit të Elbasanit, Arjan Baçi, i cili pohoi se gjendja e financiare e kompanisë “Albtech Energy” është pothuaje në zero.
Llogaritë bankare të kompanisë janë boshatisur përpara se Klodian Zoto dhe Stela Gugallja të shpalleshin në kërkim.
Por ndryshe nga inceneratori i Fierit dhe Tiranës ku diskutohet ende për ekzistencën dhe funksionalitetin e impianteve, për inceneratorin e Elbasanit, fokusi i diskutimeve eshte tek prodhimi i energjisë, e cila ndonëse prodhohet nuk dihet ku shkon.
Kjo për shkak se Enti Regullator i Energjisë nuk e ka njohur kompaninë “Albtech” si prodhues energjie
Kompania Albtek Energy, që duhet ta përfundonte kontratën koncensionare për 7 vite dhe më pas prodhimi i energjisë nga impianti i diegies do të kalonte në administrim të Bashkisë së Elbasanit, me një kontratë të re ka zgjatur afatet me 25 vite për shitjen e energjisë, por administratorët janë përgjigjur se nuk janë në dijeni të ekzistencës së kësaj kontrate.



