Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj duke folur përmes një lidhje “Skype” nga Italia për “Mcn Economy” tha që diaspora shqiptare është e rëndësishme, jo vetëm në numra, por edhe në cilësi.
Ajo theksoi se qytetarët në diasporë janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë, ku i gjen në akademi, sipërmarrje, institucione kërkimore.
“Nëse do t’u referohemi të dhënave zyrtare të vitit 2020, 450 mijë qytetarë shqiptarë që janë rezidentë. Do ta klasifikoja kontributin e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm te pjesa ekonomike, që kanë një kontribut financiar në Shqipëri. Në dekadën e dytë janë rritur në cilësi. I gjen akademik në institucione kërkimore, sipërmarrës të suksesshëm, individë të suksesshëm në art, që i japin Shqipërisë emër dhe njohje të mirë.
Diaspora s’është vetëm në numër e rëndësishme, por edhe në cilësi, sepse produkti në të mirë të vendit është shumë herë më e madhe. Janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Nga vitet 2000 ka pasur një numër qytetarësh shqiptarë që kanë ndërtuar biznese në Itali. Ka një vlerë shumë të madhe diaspora dhe e konkurron rezidentin në Shqipëri, në spektrin cilësor”.
Nunaj tha se kryeministri Rama s’ka një platformë konkrete për emigrantët që mund të kthehen në Shqipëri.
Ajo vuri në dukje se një pjesë e mirë e diasporës që e ruan marrëdhënien me Shqipërinë, e jeton realitetin e vendit deri në palcë.
"Nëse vjen një herë në vit apo disa vite, do shikosh vetëm pamjen e jashtme. Por nëse e ke ruajtur marrëdhënien, ti atë realitet e jeton ende në palcë. Qytetari i diasporës e ka të vështirë ta pranojë këtë lloj realiteti. Ai e ndjen sepse do duhet të japë më shumë remitanca, sepse ka një rritje të çmimit dhe ulje të të ardhurave. Ai duhet në këtë rast të japë suport për prindin e tij. Kryeministri ka bërë një deklaratë politike dhe s’ka një platformë. Cila është lehtësia që i jep këtij qytetari që të rikthehet. Duhet platformë e veçantë".



