Ekspertja e ekonomisë Fatmira Kola, për çmimin e naftës dhe vendimet e Bordit të Transparencës, thotë se është shumë emergjente që të hartohet një strategji të paktën afatmesme, për mënyrën se si do të operohet në treg, pasi Shqipëria importon pjesën më të madhe të produkteve të rafinerisë.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ajo deklaroi se duhet ndërhyrë si te pjesa e taksës dhe te akciza, në mënyrë që t’i jepet frymë ekonomisë.
Çmimi neto i naftës, pa taksa, akcizë etj., shkon diku te 98 lekë. Gjithçka lidhet me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të tregut në Shqipëri. Ishte e nevojshme vendosja e një çmimi tavan, por kjo nuk mjafton. Duhet një mbikëqyrje më e mirë për funksionimin e tregut. Mungesa e operatorëve në treg ul konkurrencën.
Bordi i Transparencës duhet të ketë një impenjim më të madh rreth rregullimit dhe funksionimit të tregut, përveç vendosjes së çmimit tavan. Nga komunikimi që bëhet në orën zyrtare 15.00 pasdite, kur do përcillet në tregun real, nuk mund të hyjë direkt në fuqi, ndaj është caktuar ora 20.00. Objektivi kryesor është maksimizimi i fitimit dhe operatorët do e shfrytëzojnë në maksimum deri në hyrjen në fuqi të çmimit të ri.
Duhet të bëhet një strategji më e qëndrueshme, ne as nuk kemi bursë. Në situatën aktuale ku Shqipëria importon pjesën më të madhe të produkteve të rafinerisë, është shumë e emergjente të hartohet një strategji të paktën afatmesme, për mënyrën se si do operohet.
Shqiptarët e masin ekonominë e tyre me faturat që do paguajnë në fund të muajit. Duhen të paktën tre muaj që efekti në ekonominë reale të reflektohet. Duhet ndërhyrë si te pjesa e taksës dhe te e akcizës, në mënyrë që t’i japë frymë ekonomisë.



