Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, thotë se amnistia fiskale përcjell një mesazh të gabuar te ata që duhet t’i shlyejnë detyrime shtetit. Në një intervistë në MCN TV, Soko u shpreh se ka dyshime që përfitues të saj të jenë pikërisht ata që kanë përfituar edhe tendera dhe koncesione.
Amnistia ka problemin që çfarë do u themi atyre që kanë paguar? Që jeni budallenj? Këta që nuk paguan janë duke përfituar. Kultura e aministimit bie në kundërshtim me parimin mbi të cilin qëndron në këmbë një shoqëri. Amnistia nuk duhet të ekzistojë si koncept. Detyrimet ndaj shtetit janë njësoj për të gjithë. Amnistia rrëzon parimin bazë të funksionimit të shoqërisë. Këtu do të kemi një grup individësh që për interesin e tyre elektoral do ia fusin shtetit. Shteti mbahet me taksa. Kultura e amnistimit është e dëmshme.
Detyrimet tatimore që subjektet kanë lënë pa paguar gjatë këtyre viteve do të amnistohen në masë të caktuar. Pjesa më e madhe e atyre që përfitojnë janë subjekte. Kategorizimin e ka bërë ligji. Kam frikë se pjesa më e madhe që do përfitojnë janë po ata që marrin tendera dhe koncesione. Ndaj dua të shoh listën e përfituesve. Frika ime është që në listë do të shohim ca emra shumë të njohur.



