Banka e Shqipërisë rrit normën e interesit/ Sejko: Ecuria e ekonomisë, subjekt i sfidave serioze (VIDEO)

Banka e Shqipërisë rrit normën e interesit/ Sejko: Ecuria e ekonomisë, subjekt i sfidave serioze (VIDEO)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, njoftoi rritjen e normës bazë të interesit.

Në një komunikim për mediat pasditen e sotme Sejko tha se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, nga niveli 1.0% në nivelin 1.25%.

Po ashtu ai komunikoi rritjen me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 1.9% në nivelin 2.25%, si dhe rritjen me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 0.1% në nivelin 0.25%.

Në gjykimin e Këshillit, normalizimi i politikës monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit afatmesëm.

Në të njëjtën kohë, ky normalizim nuk do të cenojë premisat e rritjes ekonomike në këtë horizont. Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës thekson se materializimi i projeksioneve të skenarit bazë do të kërkojë vijimin e ciklit normalizues të politikës monetare edhe në tremujorët në vazhdim.

Në këtë skenar, shpejtësia e normalizimit do të jetë graduale, por në çdo rast e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit.

Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes dinamikën e presioneve inflacioniste në periudhën në vijim. Ai mbetet i gatshëm të ndërhyjë, në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend.

Në fjalën e tij guvernatori i BSH, deklaroi se inflacioni shënoi rritje në muajt prill e maj, duke regjistruar respektivisht vlerat 6.2% dhe 6.7% dhe se baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim.

Sipas tij, ndonëse dinamika e inflacionit në këta dy muaj pasqyroi kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike, kjo rritje është e pranishme në pjesën më të madhe të artikujve të shportës.

Në këtë linjë ai tha se në këndvështrimin makroekonomik, presionet inflacioniste vijojnë të ushqehen nga normat e larta të inflacionit në tregjet botërore, të cilat janë në nivelet më të larta të katër dekadave të fundit, si dhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.

Guvernatori i BSH deklaroi se sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i brendshëm bruto u rrit me pothuaj 6% në tremujorin e parë të vitit.

Sipas tij, rritja ekonomike u diktua nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve dhe se nga ana tjetër, rënia e investimeve publike dhe rritja e importeve kanë vepruar në kahun e kundërt.

Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave në tremujorin e parë, duke ofruar një faktor shtesë në rritjen e inflacionit.

Sipas të dhënave zyrtare, papunësia në vend zbriti në nivelin 11.3% në tremujorin e parë, ndërsa ritmi i rritjes së pagave në sektorin privat shënoi vlerën 10.5%. Megjithëse rritja e pagave u ndikua edhe nga masat e marra për formalizimin e tregut të punës, ajo sugjeron se mungesa e fuqisë punëtore po ushtron presione për rritjen e kostove të prodhimit në vend.

Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend.

Megjithatë, përditësimi i parashikimeve tona sipas skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje solide në horizontin afatmesëm.

Ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në ngadalësim kundrejt atij të shënuar në tremujorin e parë të vitit, por ai do të jetë i mjaftueshëm për të ruajtur shëndetin e bilanceve të familjeve dhe bizneseve shqiptare.

Sejko tha se inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim dhe se projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë në rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy