
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, inspektoi punën për ndërtimin e dy tombinove që zgjidhin problemin e përmbytjeve në segmentin Tiranë-Qafë Kashar.
Sipas Gjiknurit, kjo ndërhyrje zgjidh problemin shumëvjeçar të përmbytjeve në këtë zonë.
“Me këtë investim ne evitojmë pjesën më të madhe të këtij problemi me të cilin qytetarët u ndeshen jo vetëm vjet por edhe më parë. Investimi është në kuadër të programit rehabilitues të rrugëve. Kërkojmë ndjesë për ndonjë pengesë që mund të krijohet gjatë këtyre ditëve në trafik por kjo është e domosdoshme për të evituar probleme edhe më të mëdha. Qytetarët duhet të na mirëkuptojnë në këtë rast. Vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro”, deklaroi Gjiknuri.
Në segmentin nga Casa Italia deri tek mbikalimi i Kasharit do të vendosen dy tombino të mëdha, që bashkë me pastrimin e kanaleve do të bëjnë të mundur që sasia e reshjeve në maksimumin e tyre të mos krijojë më përmbytje në autostradë. Vlera e investimit që po kryhet në këtë aks arrin në shumën 342,000 euro pa TVSH.
Gjiknuri theksoi se vitin e fundit, programi i rehabilitimit të rrugëve ka qenë intensive dhe u bë e mundur të investohen mbi 25 milion euro.
Sipas tij, edhe gjatë ditëve me reshje dëborë u vu re se programi i mirëmbajtjes po funksionon shumë mirë. "Në total janë 250 kilometra ku është ndërhyrë për rehabilitim, rikonstruksion e rregullim shtresash asfaltike”, theksoi Gjiknuri.



