
Në vitin 2013, kur qeveria Rama mori detyrën, raportoi gjysmë miliard euro detyrime të prapambetura. Një vit më pas, për shkak të reformës në këtë sektor dhe rritjes së çmimit të energjisë, niveli i detyrimeve të prapambetura nisi të reduktohej. Marrëveshjet mes OSHEE, KESH dhe OST ndikuan në uljen e stokut të borxheve mes kompanive.
Megjithatë, detyrimet e prapambetura mbetën pengesë. Në fund të vitit të kaluar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave lëshuan një urdhër të përbashkët, me të cilin miratonin një plan masash për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike. Urdhri mban datën 17 dhjetor dhe synon shkëputjen graduale të zinxhirit të borxheve që kompanitë i kanë njëra-tjetrës.
OSHEE i ka KESH 5.3.4 miliardë lekë dhe 2 miliardë kamatë-vonesa
KESH i ka OSHEE-së 6.3 miliardë lekë
Ndërkohë, zinxhirit të borxheve i shtohet edhe ai që kanë ndërmarrjet e ujësjellësit ndaj kompanive të energjisë. Deri në 2020, ky borxh qëndronte në nivelin 17 miliardë lekë, nga të cilat 9 janë kamatë-vonesa.
Sipas planit të masave, në vitin 2018 dhe 2019 janë akumuluar në total 4 miliardë lekë detyrime të prapambetura midis KESH dhe OSHEE (bashkë me kamatë-vonesat).
Për reduktimin gradual të tyre, kompanitë e energjisë elektrike kanë nënshkruar marrëveshje sipas të cilave: OSHEE i shlyen KESH 2.3 miliardë lekë në vit, OSHEE 0.5 miliard lekë OST-së dhe kjo e fundit i jep KESH-it 100 milionë lekë në vit.
Plani i masave synonte rezultate konkrete në uljen e detyrimeve të prapambetura që në vitin 2020 dhe 2021.
Por kriza e energjisë me të cilën po përballet pjesa më e madhe e botës e gjen të papërgatitur financiarisht OSHEE-në. Kjo e fundit, e përballur me kërkesën në rritje për energji elektrike dhe njëkohësisht edhe me rritjen e çmimit të importit vihet para një vështirësie të re. Pamundësia për të përballuar financiarisht furnizimin me energji elektrike mund të çojë në kufizime, një masë që mund të ishte shmangur nëse zinxhiri i ngatërruar i borxheve do të ishte çmpleksur në kohë.



