
Ministria e Bujqësisë nxjerr të dhënat për eksportet bujqësore gjatë periudhës janar- qershor 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bujqësia, duhani e pijet kanë vijuar trendin e rritjes së eksporteve edhe gjatë muajit qershor të këtij viti, duke u ngjitur në vendin e dytë të grupmallrave me kontributin më të lartë në ekonominë kombëtare. Sipas të dhënave të INSTAT, ky grup ishte i vetmi që vijoi zgjerimin e fortë të eksporteve, me rritje 42.6 %, duke kaluar për herë të parë këtë muaj (qershor) në të dytin më të madh në vend, pas tekstileve e këpucëve, me 18.8 % të totali. Sektori renditet në grupin e dytë me rritjen më të madhe të eksporteve 20.7 %, edhe për 6-mujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave të INSTAT. Referuar të dhënave zyrtare, ky grup mbetet i katërti më i madh me 13 % të totalit, nga 10 % në të njëjtën periudhë të një viti më parë, teksa trendi i rritjes për “prodhimet bujqësore, ushqimet, pijet dhe duhanin” nuk është ndalur që prej fillimit të vitit, ku në maj sektori iu rikthye rritjes së shpejtë, duke u zgjeruar me 24.6 %. Shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 59.3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën janar-qershor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74.1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51.4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30.2 %), Kina (7.6 %), Turqia (7.0 %) dhe Greqia (6.8 %).



