Ekonomi: Reagon për Karpen, morëm leje vetëm për negociata

Ekonomi: Reagon për Karpen, morëm leje vetëm për negociata

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi ka reaguar pas deklaratave të depuetetës të PD-së, Jorida Tabaku, për projektin e Portit  të Karpenit, se ai është një aferë korruptive. Ministrja Ekonomi ka theksuar se qeveria ka kërkuar leje nga Parlamenti thjesht për të kryer negociata. Ministrja ka nënvizuar se aktualisht, për Qeverinë Shqiptare nuk ka asnjë risk nga ky projekt, pasi nuk ka asnjë marrëdhenie juridike formale të lidhur me ndonjë subjekt, përfshi edhe “Star Bridge”. Ekonomi sqaron se ligji është vetëm leja formale e fillimit të negociatave, dhe si asnjëherë më parë, e bën transparent procesin e këtij investimi, nga fillimi e deri në fund.

  

Reagimi i plotë i Ministres së Ekonomisë, Milva Ekonomi:

 

Deklarata e PD tërësisht dashakeqe. Ja e vërteta e Portit të Karpen

 

Deklarata e deputetes të Partisë Demokratikë, Jorida Tabaku, e cila e quan investimin strategjik të portit të Karpenit një aferë korruptive, është tërësisht dashakeqe e cila nuk bën gjë tjetër veçse dëmton imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes sqaron  se: lidhur me projektin e investimit për ndërtimin e Portit të Karpenit, kujdesi ynë për të mbrojtur interesat e vendit ka qenë e do të mbetet i plotë, transparent  dhe primar, ndryshe nga koha kur qeveria e djeshme lëshonte koncesione preferenciale tek sekserët e qeverisë Berisha, apo koncesione tërësisht në dëm të interesit publik.

Duke marrë parasysh kompleksitetin e këtij projekti, ndërtimi i portit, ngritja e një zonë ekonomike mbështetëse, dhe ndërtimi i TEC-it, por edhe për madhësinë e investimit, tre ministritë, MZHETTS, MEI dhe MTI,  kërkuan që Parlamenti t’i  japë të drejtën vetëm për të negociuar.

Theksojmë që nuk është lidhur asnjë kontratë me propozuesit e projektit. Qeveria shqiptare thjesht i ka kërkuar Parlamentit lejen për të hyrë në bisedime me propozuesit e investimit strategjik dhe për të negociuar kontratën, sipas ligjit në fuqi për këtë investim: më i madhi këto 25 vitet e fundit në Shqipëri, që do t’i hapi rrugën 70.000 vendeve të reja pune.

Kjo nënkupton një filtrim më të detajuar dhe mbi baza dokumentesh zyrtare, jo vetëm të “Star Bridge Port Development Limited”, por edhe të gjithë kompanive investuese e zbatuese të projektit.

Ligji i miratuar, duke vlerësuar momentin e negocimit dhe nënshkrimit të kontratës si moment shumë të rëndësishëm, ka parashikuar edhe marrjen e asistencës dhe konsulencës së huaj.

Theksojmë se, kjo konsulencë do të kryejë vlerësime ligjore dhe financiare për të arritur në një kontratë me garanci sa më të forta për shtetin shqiptar. Kontrata do të përfshijë detyrimet kontraktuale, garancitë financiare, sanksione në rast të mosrealizimit të projektit sipas kontratës, afate detyruese dhe përgjegjësi të tjera.

Reputacioni dhe eksperienca e kompanive, amerikane, angleze dhe turke,  investuese dhe zbatuese, që do të implementojnë projektin nëpërmjet “Star Bridge Port Development Limited”, është një garanci më shumë dhe shtysa kryesore që na ka çuar të ndërmarrim këtë iniciativë.

Kompanitë së bashku kanë realizuar një xhiro vjetore prej 21 miliardë dollarë për 2014, kanë punësuar 120.000 persona dhe kanë realizuar projekte me vlerë prej 60 miliardë dollarë.

Shuma prej  100 stërlina i referohet çmimit të regjistrimit në Mbretërinë e Bashkuar. Për analogji do t’i referohemi legjislacionit shqiptar në fuqi, që lejon regjistrimin e një shoqërie tregtare edhe me një minimum kapitali prej 100 lekë.

Subjekti i krijuar për një qëllim të veçantë (SPV) u shërben kompanive investitore dhe atyre zbatuese për të sjellë propozimin para qeverisë shqiptare dhe për të filluar negociatat për këtë projekt.

Në çdo rast, para nënshkrimit të kontratës, “Star Bridge” do të regjistrohet si SPV sipas parashikimeve të legjislacionit shqiptar dhe do të ofrojë të gjitha garancitë e nevojshme të performancës.

Aktualisht, për Qeverinë Shqiptare nuk ka asnje risk. Nuk ka asnjë marrëdhenie juridike formale të lidhur me ndonjë subjekt, përfshi edhe “Star Bridge”. Ligji është vetëm leja formale e fillimit të negociatave, dhe si asnjëherë më parë, e bën transparent procesin e këtij investimi, nga fillimi e deri në fund.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy