Bordi i Transparencës, në mbledhjen e zhvilluar më 21 maj 2026, ka vendosur çmimet e reja tavan për nënproduktet e naftës në tregun shqiptar.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 197 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi i shitjes me pakicë është caktuar jo më shumë se 186 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 174 lekë për litër.
Vendimi ka hyrë në fuqi më 21 maj në orën 13:00 dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku mund të rishikohen çmimet në varësi të ndryshimeve të tregut.
Autoritetet theksojnë se të gjithë operatorët e tregut të shumicës dhe pakicës janë të detyruar të zbatojnë vendimin. Në rast shkeljesh, parashikohet masa e pezullimit të aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Në sqarim shtohet se, sipas Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, nëse çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit kalon 220 lekë për litër ose benzina kalon 200 lekë për litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Me çmimet aktuale të vendosura, ky kufi nuk tejkalohet dhe për rrjedhojë akciza aplikohet në nivelin e plotë 100%.



