Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi sot se linja 400 kV ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një projekt infrastrukture, por një investim i rëndësishëm për sigurinë energjetike, zhvillimin dhe integrimin europian të përbashkët.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Maqedoninë e Veriut për nisjen e punimeve të linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri–Maqedoni e Veriut, Karakaçi e cilësoi këtë si një moment kyç për bashkëpunimin rajonal dhe të ardhmen energjetike të dy vendeve.
Sipas tij, kjo linjë përfaqëson një investim strategjik që forcon ndërlidhjen energjetike dhe rrit sigurinë e furnizimit në rajon.
Ministri theksoi gjithashtu se linja 400 kV Elbasan–Bitola është një nga hallkat më të rëndësishme të Korridorit energjetik Lindje–Perëndim dhe pjesë integrale e Korridorit VIII.
“Projekti i linjës 400 kV Elbasan-Bitola, është një nga hallkat më të rëndësishme të Korridorit energjetik Lindje-Perëndim, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII. Ai përmbyll një boshllëk historik në rrjetin rajonal dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemeve tona energjetike, duke rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit për të dy palët dhe duke shërbyer si një instrument i cili garanton angazhimet e të dy shteteve për integrimin rajonal dhe europian të tregjeve tona, krahas integrimit politik në Bashkimin Europian. Kjo linjë nuk është vetëm një projekt bilateral. Ajo është pjesë e një vizioni më të gjerë, Korridorit VIII energjetik, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe më tej Italinë. Përmes këtij korridori, ne po ndërtojmë një urë të re energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit të Europës”, theksoi ministri.
Ministri Karakaçi tha se Shqipëria po kalon një fazë transformimi energjetik, duke u investuar maksimalisht jo vetëm në këtë projekt, por edhe të tjera.
“Duke e vlerësuar maksimalisht këtë projekt, ne jemi investuar intensivisht në pjesën e linjës që kalon përmes Shqipërisë dhe me krenari, por jo për të bërë konkurrencë, se nuk do të ishte vendi, mund të them se kemi arritur në 80% të punimeve për ndërtimin e linjës në territorin shqiptar. Ndërkohë paralelisht me këtë projekt, Shqipëria po avancon edhe në iniciativa të tjera strategjike. Linja e re 400 kV me Greqinë, aktualisht në fazë studimore dhe e mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të rrisë kapacitetet ndërkufitare dhe do të mbështesë integrimin e burimeve të rinovueshme në shkallë të gjerë”.
Ministri nënvizoi se “një tjetër projekt me rëndësi strategjike të jashtëzakonshme është interkonjeksioni nënujor Shqipëri-Itali, i cili synon të krijojë një dalje të drejtpërdrejtë drejt një prej tregjeve më të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian. Ky projekt do të jetë kyç për të shmangur humbjen e energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme dhe për të maksimizuar vlerën ekonomike të saj”.
Sipas tij, nëpërmjet këtyre investimeve, Shqipëria nuk po ndërton vetëm linja transmetimi, po një sistem energjetik më fleksibël, më të sigurt, më të integruar dhe plotësisht në përputhje me standardet europiane.
Ky investim, i cili sjell përfitime të shumta për rajonin, pritet të kontribuojë në mënyrë të veçante edhe në zhvillimin e infrastrukturës moderne energjitike dhe krijimin e mundësive për zhvillim ekonomik.



