Eksportuesit janë ata që po rrezikojnë më shumë me dobësimin e monedhës europiane. Për ta situata e rënies së euros ndikon direkt në fitimet e tyre duke u shtruar përpara edhe variantin për mbylljen e biznesit.
“Situata është emergjente për të gjithë industrinë e turizmit, gati 75% e kontratave për operatorët që punojnë me rezverime e kontrata janë mbyllur dhe janë bërë me çmimet kur euro ishte më e lartë.” thotë Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit.
“Po të marrim kursin kur ishte në dhjetor dhe ta krahasojmë me tani humbja është shumë e madhe, ndërsa me kursin e fillimit të vitit të shkuar humbjet janë dhe më të mëdha.” thotë Florian Zekja nga Shoqata “ProEksport”.
Industria e fasonëve ka humbur 225 milion euro vitin e kaluar nga zhvlerësimi i euros, ndërsa në total të gjithë eksportet kanë pësuar një humbje në nivelin e 340 milion eurove.
7 shoqata biznesi që përfaqësojnë industritë kryesore në vend që punojnë me monedhën euro i kërkuan Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave përmes një letre publike marrjen e masave për normalizimin e situatës dhe hetimin e shkaqeve nëse janë formale apo ka dyndje të parasë së zezë.
“Ne i kemi kërkuar marrjen e masave sepse rrezikojmë falimentin. Duam një analizë më të dhëna zyrtare se nga ka ardhur kjo luhatje e madhe në tregun e këmbimit valutor. A janë zgjedhjet? Le të identifikojmë faktorët dhe të shohim zgjidhjet.” thotë Florian Zekja nga Shoqata “ProEksport”.
Po përse ato besojnë se ka arsye se paraja e zezë ka goditur kursin e këmbimit?
“Po të shohim të dhënat e INSTAT për eksportet nuk janë aq të kënaqshme, ndërsa në mars kemi rënie të eksporteve. Nuk kemi një rritje aq të lartë sa të justifikojnë. Kemi periudhën zgjedhore që nuk maten paratë që shpenzohen për marketing dhe kemi paranë e zezë. Banka e Shqipërisë na e pranoi vetë që 3.2 miliard euro janë jashtë bankave dhe nuk kontrollohen.” thotë Florian Zekja nga Shoqata “ProEksport”.
“Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk vëren këtë fenomen që del jo vetëm në raportet ndërkombëtare por dhe që pranohet masivisht nga zyrtarët tanë në takimet e mbyllura që kanë me shoqatat e biznesit.” thotë Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit.
Shqetësimet bizneset i komunikuan edhe në një takim të posaçëm për këtë temë me ministren e Financave Delina Ibrahimaj.
“Dy ishin hapat që ministria na premtoi si veprime që mund të ndërmerren, pagesa e tatim-fitimit jo si paradhënie me xhiron e një viti më parë, por si rezultate real që kemi këtë vit duke e shtyrë me disa muaj dhe përshpejtimi i rimbursimit të tvsh-së nga 30 në 3-4 ditë.” thotë Zak Topuzi nga Shoqata e Turizmit.
Disa ditë më pas ata u pritën edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
“Kërkuam një takim dhe me bankën sepse kemi nisur kontratat për vitin 2024 nëse do të ketë rënie më tej, ne të gjtihë si grup duhet të rritim çmimin.” shton Zak Topuzi.
Por askush nuk ka ofruar zgjidhje në nivel institucional.
“Nga reagimet e tyre nuk shpresojmë se do të kemi ndonjë aksion të rëndësishëm.” sqaron Topuzi.
Banka e Shqipërisë vijon të mbajë qëndrimin se kursi i këmbimit është i lirë dhe ligjërisht nuk mund të ndërhyjë në treg. Hapësira e vetme që i lejohet për ndërhyrje është kur rrezikohet niveli i inflacionit, dhe niveli mbi 7% që ka qënë gjatë këtij viti konsiderohet i lartë dhe larg objektivit 3% të vendosur prej saj.
“Ne ndërhyjmë për të shmangur spekulimet dhe njëkohësisht për të mbrojtur inflacionin. Të gjitha këto kritere nuk plotësohen në këtë rast.” deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko një javë më parë.
Përgjigjja e eksportuesve është rikthimi i ekonomisë në efektet e “terapisë shock” si në fillimet e viteve 90’, kur vendi ishte importues i mallrave dhe shërbimeve.
“Në rast humb interesi për këto industry që nuk do të mbajnë punëtorët në punë, ne do të kthehemi në pikën zero të terapi shock-ut” thotë Zak Topuzi.
“Do të preken dhe prodhuesit sepse çmimet e mallrave që do të vijnë nga importi do të bëhen njësoj dhe se ato shqiptare dhe konsumatori do të zgjedhë mallin me më shumë cilësi” sqaron Florian Zekja nga “ProEksport”.
“Nëse ne nuk mbështetim eksportet do të kemi një situatë jo të mirë. Ne për vite me shumë mundim kemi krijuar një sektor që ka eksporte të qëndrueshme, po u thye dhe kjo koracë atëherë goditja e kursit të këmbimit është e jashtëzakonshme.” shpjegon eksperti financiar Artan Gjergji.
Ekspertët propozojnë edhe zgjidhje të tjera përveç atyre të ndërhyrjes në treg. Një nga alternativat është ofrimi i opsioneve nga institucioni i bankës qëndrore për fiksimin e kursit të këmbimit.
“Mund të bëhet një paketë mbështetëse që të mbrohen nga kursi sepse në sektorin tonë ky instrument nuk përdoret instrumenti i kursit të këmbimit.”
Ky variant është propozuar dhe nga guvernatori.
“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit.” deklaroi disa ditë më parë Banka e Shqipërisë.
Eksportuesit thonë se asnjë bankë në vend nuk e ofron këtë opsion.
“Në dijeninë time nuk ka asnjë që të ketë arritur të lidhë një kontratë të tillë me bankën.” thotë Zak Topuzi.
“Me çfarë kursi ta fiksojmë? Ku e dimë sa do të jetë dhe nuk do bjerë? Bankat nuk pranojnë të dalin me humbje dhe ofrojnë kurs të fiksuar dhe më të ulët se ky që është sot. Ne po humbim me këtë kurs.” shton Florian Zekja.
Rënia e euros në mënyrë jo natyrale ka goditur shumë tregje në vend, por ekspertët sqarojnë se më shumë do të vuajnë konsumatorët.
“Kostot i shpërndahen publikut, është njësoj si inflacioni.” thotë eskperti financiar Artan Gjergji.
Goditja e sektorit eksportues dhe prodhues në vend, i cili është shumë i vogël përballë varësisë që ka ekonomia vendase ndaj blerjes së mallrave jashtë mund të sjellë zvogëlimin e këtyre industrive dhe ulje të vendeve të punës. Nga ana tjetër, edhe pse duket se nga çmimet e mallrave të importit do të ulen, tregtarët nuk e reflektojnë për shkak të tregut të mbyllur që ka në disa sektorë kryesorë, duke rritur marzhin e fitimit të tyre.
“Edhe pse importuesit me shumicë importojnë me çmime më të lirë, këtë nuk e reflektojnë në tregun me pakicë dhe zgjerojnë marzhin e fitimit dhe konsumatori e ka sërish çmimin e lartë.” thotë eksperti financiar Artan Gjergji.
Kredia në euro për ata që i kanë të ardhurat në lekë mund të lehtësohet, por kursimet e shqiptarëve janë zhvlerësuar me 10% duke qënë se shumica e depozitave janë në monedhën euro. Në fund të prillit vlera e kursimeve të rezidentëve ra me 157 milion euro.
“Pasuria e tyre është zhvlerësuar dhe këta nuk janë të paktë në numër.” thotë eksperti financiar Artan Gjergji.
Ekspertët thonë se shtresa më e goditur janë të varfërit që mbahen me dërgesat e të afërmve që punojnë jashtë.
“Vetëm në harkun e 5 viteve euro ka rënë me 20%” thotë Zak Topuzi.
Nga ana tjetër përfitimi i vetëm është ulja e shpenzimeve për të paguar borxhin publik në monedhën euro dhe rënia në vlerë kontabël e stokut të borxhit, por që nuk shërben në afatgjatë. Pikëpyetja që shtrohet tashmë është edhe sa muaj do të vazhdojnë ky zhvlerësim kur përpara kemi një sezon turistik që pritet të ketë shtim të prurjeve valutore, ndërsa Ministria e Financave po projekton daljen në tregjet e huaja për të emetuar një Eurobond të ri?
“Unë do e quaja një fitore e Pirros, duke sikur po përmirësohesh se po ul nivelin e borxhit, por nuk e ke ulur thjesht zhvlerësimi i kursit po të ndihmon të paraqesësh një situatë më të mirë se e ke realisht.” thotë eksperti financiar Artan Gjergji.
“Vërtet qeveria mund të ndihet komode në momentin që ulet borxhi publik dhe bie inflacioni, por kjo është arritje afatshkurtër, por në afatgjatë do të ketë ndikim shumë negativ në të gjithë industritë që lidhen me eksportet.” thotë Zak Topuzi.



