Eksperti i ekonomisë Pano Soko nisjen e hetimit të thelluar nga Autoriteti i Konkurrencës ndaj dy kompanive Vodafone dhe One Albania për dyshime se po shkelin rregullat e tregut e po rrisin në mënyrë të bashkërenduar tarifat, e sheh të drejtë dhe flet për abuzim me tregun.
Ai tha për “MCN Economy” se kur janë dy kompani në treg, ulen me njëra tjetrën dhe bëjnë marrëveshje kartel, përcaktojnë kushtet e operimit dhe vendosin çmime dhe tarifa që të shfrytëzojnë në maksimum tregun.
Gara për të përfituar treg është e domosdoshme për mbijetesë për kompanitë dhe këtu përfiton dhe interesi publik. Se kompanitë për të qëndruar gjatë në treg, duhet të rrisin cilësinë dhe të kenë çmime të përballueshme dhe nga kjo garë mes kompanive ne përfitojmë se marrim çmime të përballueshme dhe shërbim më cilësor.
Kur tregu mbetet me dy kompani, të dyja kompanitë kanë rreth 51% njëra dhe 49% të tregut tjetra. Kur kemi duopol edhe nëse do të kishim konkurrencë të ndershme dhe shëndetshme me njëra tjetrën, publiku do përfitonte, duke tentuar të përfitojnë për interesin e tyre pjesë të tregut. Kur janë dy kompani është shumë e vështirë që të krijohet konkurrencë e ndershme.
Kur janë dy kompani në treg, ulen me njëra tjetrën dhe bëjnë marrëveshje kartel, përcaktojnë kushtet e operimit me njëra tjetrën dhe vendosin çmime dhe tarifa që të shfrytëzojnë në maksimum tregun.
Duhet të ketë një analizë pse këto kompanitë dalin me këto çmime, ka një motiv ekonomiko-matematik pse dilet me këto tarifa.
Operatorët celularë nuk raportojnë referenca për kostot e produkteve. Operatorët në Shqipëri janë rreth 30% më shtrenjtë se vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.



