
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim të përbashkët me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, diskutoi pwrkitazi me ndikimet e tërmetit në ekonomi, sistemin financiar, si dhe masave për t’u ndërmarrë nga sistemi bankar.
Ky takim i organizuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, pati në fokus trajtimin nga aktorët e sistemit bankar të implikimeve të mundshme të shkaktuara nga ngjarjet e rënda të javës së kaluar dhe përcaktimin e veprimeve të përbashkëta, që mund të nevojiten në të ardhmen.
Fillimisht, Guvernatori Sejko theksoi se parësor mbetet angazhimi maksimal i bankave tregtare për vijimin e veprimtarisë së tyre të plotë operacionale, me qëllim ofrimin e të gjitha produkteve dhe shërbimeve financiare.
Më tej, ai u kërkoi bankave t’u vijnë në ndihmë klientëve të tyre të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duke u ofruar të gjitha lehtësitë e mundshme, si nëpërmjet rishikimit të kushteve të marrëdhënieve ekzistuese, ashtu edhe trajtimit të kujdesshëm të kërkesave të tyre në të ardhmen. Në këtë drejtim, ai vlerësoi nismën e ndërmarrë nga bankat tregtare për mos aplikimin e komisioneve për të gjitha transfertat pritëse të donacioneve.
Lidhur me vlerësimin e situatës, Guvernatori iu kërkoi bankave analizimin sa më të shpejtë të impaktit në cilësinë e portofoleve respektive të kredive dhe u bëri thirrje të shikojnë të gjitha mundësitë, që pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë të mos shkaktojnë ngadalësim në ritmin e kreditimit të ekonomisë.
Gjithashtu ai iu kërkoi bankave ofrimin e asistencës dhe bashkëpunimit të plotë për të gjithë ata klientë kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, në marrëdhëniet me kompanitë e sigurimit.
Nga ana e tyre, drejtuesit e bankave tregtare u shprehën se kanë bërë vlerësimin e situatës së krijuar në qytetet e dëmtuara nga tërmeti dhe, pavarësisht dëmtimeve të disa mjediseve në zona të caktuara, janë angazhuar për vazhdimin normal të ofrimit të të gjitha shërbimeve të nevojshme financiare. Ata theksuan se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës.



