Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së “Krahinës Autonome të Korçës”, Banka e Shqipërisë organizoi një ekspozitë të veçantë në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Viti 2016 përkon me një datë historike, atë të shpalljes së "Krahinës Autonome të Korçës", më 10 dhjetor 1916, e cila ndonëse e shkurtër në kohë, ishte një faktor pozitiv për mbajtjen gjallë të mëvetësisë formale të shtetit shqiptar dhe të ringritjes së tij. Gjuha shqipe, flamuri kombëtar dhe vetëqeverisja prej atdhetarëve korçarë mbeten tri shtyllat kryesore të veprimtarisë së kësaj krahine.
Kjo ngjarje pasqyrohet edhe në koleksionin e kartëmonedhave të Krahinës së Korçës, të cilat Muzeu i Bankës së Shqipërisë i prezantoi në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë nëpërmjet një ekspozite.
Në këtë ekspozitë, u prezantua koleksioni i plotë i kartëmonedhave lokale të emetuara nga Krahina Autonome e Korçës në vitet 1917 dhe 1918, të shoqëruara me ilustrime fotografike dhe grafike, të cilat pasqyrojnë kontekstin historik, ekonomik dhe numizmatik të kohës.
Përveç kartëmonedhave, vizitorët patën mundësi të njihen gjithashtu me materiale të ndryshme edukative të Bankës së Shqipërisë, si broshura, panele informuese, etj.
Me ftesë të organizatorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko mori pjesë në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në homazh të atdhetarit Themistokli Gërmenji dhe vendosi një kurorë në monumentin e tij.



