Në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, është duke u diskutuar projektligji 2027. Ky projektbuxhet do të jetë në vlerën e 976 miliardë lekëve, ose rreth 10.7 miliardë euro.
Zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti, gjatë fjalës së tij prezantoi fondet e parashikuara për bujqësinë, infrastrukturën dhe mbrojtjen, si dhe ndryshimet në skemën e bonusit të bebeve, ku për bujqësinë janë parashikuar 17.9 miliardë lekë, ose 1.1 miliardë lekë më shumë se buxheti i këtij viti.
“Buxheti për bujqësinë parashikohet të arrijë në 17.9 miliardë lekë, me rritje prej 1.1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Përmes politikave që do të zbatojmë, synojmë rritje të numrit të përfituesve. Infrastruktura do të marrë 75.4 miliardë lekë. Investime në ujësjellës, portin e ri të Durrësit, portin e Triportit, zgjerimin e Tiranë-Durrës dhe rehabilitimin e Tiranë-Ndroq-Plepa”, theksoi ai.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion 76.7 miliardë lekë, të cilat do të përdoren edhe për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit, në kuadër të angazhimeve në NATO.
“Për mbrojtjen vijojmë modernizimin e Forcave të Armatosura. 76.7 miliardë lekë për Ministrinë e Mbrojtjes. Synohet forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të vendit në kuadër edhe të Aleancës”, vijoi zv.ministri.



