Kreu i Bashkisë së Lezhes, Pjerin Ndreu të hënën është shprehur se bilanci ekonomik i bashkisë nuk ka qenë në shifra pozitive për shkak se pandemia e koronavirusit dëmtoi turizmin dhe bizneset.
I ftuar përmes një lidhje me Skype në edicionin e lajmeve për televizionin TvT, Ndreu theksoi se deri më tani bashkia nuk ka përpiluar një bilanc të saktë të të ardhurave, por ajo që vihet re është një rënie e ndjeshme e të ardhurave nga biznesi në raport me vitin tjetër.
“Në këtë periudhë mbyllim përllogaritjet. Por mund të them se për shkak të pandemisë ne deri në qershor nuk kemi nxjerrë asnjë të ardhur. Pasi u bllokua mbledhja e të ardhurave. Ne kemi filluar në qershor dhe taksa e infrastrukturës ka pasur një peshë, si dhe ajo e hapësirave publike. Ndërsa për taksat e tjera ne i kemi lënë lirshmëri biznesit, pra një pjesë paguan në qershor dhe një pjesë tjetër paguajnë në tetor”, u shpreh kryebashkiaku.
Ky lehtësim, sipas tij, ka ardhur sa për shkak të pandemisë dhe sa për shkak të mungesës së aktivitetit normal të biznesit, por edhe si rezultat i politikës së bashkisë, e cila ka qenë një politikë zbutëse, për të mos qenë litar në fyt për biznesin.
“Klima nuk është si ka qenë. Nëse marrim operatorët turistik ata janë në 50-60% të kapacitetit të tyre, duke pasur parasysh nivelin e vitit të tjetër. Për rrjedhojë bie edhe punësimi. Mund të them se ajo çfarë u konsiderua pozitive ishte një hop që mori turizmi nga 15 gushti deri në mesin e shtatorit”, tha Ndreu.
Kryebashkiaku i Lezhës në fjalën e tij u ndal edhe tek fillimi i vitit shkollar në një situatë aspak të zakontë, duke u shprehur se edhe në Bashkinë Lezhë, përveç dy shkollave, mësimi ka filluar normalisht dhe konform protokollit të vendesor.
“Shkollat janë hapur të gjitha, por ne kemi një problematikë që lidhet me tërmetin në disa shkolla. Shkolla e Shënkollit “Llesh Nik Daka” e cila është në ndërtim dhe shkolla “Gjergj Kastrioti”, e cila pritet për t’u shembur, ndërsa nxënësit e kësaj shkolle janë akomoduar diku dhe brenda dy javëve do të akomodohen diku tjetër. Është një periudhë e shkurtër kalimtare që ne po punojmë intensivisht për të rregulluar kushtet. Shkollat e tjera janë në rregull, ndërsa protokollet janë dhënë dhe po zbatohen”, tha Ndreu.



