
Shqipëria dhe Kosova bën funksional Dhomën e përbashkët Ekonomike për të cilën u arrit marrëveshja që në 2018-ën.
Me vullnetin për rritje të bashkëpunimit ekonomik dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Muçostepa u prit nga kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, me qëllim përmbushjen e deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë.
Palët ranë dakord për të gjithë hapat e mëtejshëm për funksionalizimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri-Kosovë.
Dhoma Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë do t’i shërbejë interesave të biznesit Shqipëri-Kosovë dhe do t’i propozojë qeverive të vendeve tona shqetësimet e komunitetit të biznesit nga të dyja vendet, në përputhje me objektivat e deklaratës së përbashkët për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale, e nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive, më 26.11.2018, në Pejë, bën të ditur ambasadori Malaj.
Nga sot ky organizëm do të vazhdoj me gjithë hapat e nevojshëm për funksionalizimin e “Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë” dhe zbatimin e deklaratës së objektivave të përbashkëta për këtë qëllim.
Ky është një hap i madh drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë dhe zbatimit të deklaratës së objektivave të përbashkëta për themelimin e Dhomës Ekonomike Bilaterale Shqipëri–Kosovë.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Pejë, synimi i dhomës së përbashkët Shqipëri – Kosovë do të jetë përkrahja e bashkëpunimit të bizneseve të dy vendeve, nxitjen e investimeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e legjislacionit, në të mirë të bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova.




