
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka bllokuar një sasi prej 298 tonësh karburant, të cilat ndodheshin në një vendburim në Finiq, lëndë e cila ishte jashtë kushteve të tregtimit. Gjatë kontrollit të ushtruar, u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, por edhe u evidentuan probleme në cilësinë e produktit. E pranishme në këtë aksion ishte edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin, Admir Abrija dhe zëvendësdrejtorin e doganave, Ylber Kalaja.
“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në kuadër të planit antiinformalitet, bashkë me administratën doganore, bën një plan kontrolli dhe gjatë kontrollit kemi konstatuar 298 tonë produkt, lëndë e parë, naftë bruto, e cila është e stokuar në këtë vendburim, pa vërtetimin teknik. Menjëherë kemi njoftuar administratën doganore që të hetojë në lidhje me fiskun e produktit”, tha Abrija.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i doganave theksoi se duke iu referuar parametrave të produktit të sekuestruar, ky është një produkt me risk dhe me shkallë monitorimi shumë të lartë. Ndërkaq, ministrja Belinda Balluku nxiti bashkëpunimin mes ISHTI-t dhe administratës doganore, me qëllim evidentimin e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse për subjektet që abuzojnë. Pas kryerjes së analizave, rezultoi së lënda prej 298 tonësh kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit, por edhe nivelit të flakërimit. Aksioni u realizua nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.



