
Besimi i bizneseve në ekonomi ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në sektorët kyç si ndërtimi, turizmi dhe industria. Kjo vihet re në anketën periodike të Bankës së Shqipërisë për muajin gusht, e cila tregon një përkeqësim të ndjeshëm të pritshmërive të bizneseve pas përfundimit të sezonit turistik.
Sipas kryetarit të Departamentit të Ekonomisë në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, i ftuar në “MCN Economy”, ekonomia po përballet me mungesë konkurrence të ndershme, ndërsa importet po dominojnë tregun vendas, shpeshherë të kontrolluara nga grupe të vogla interesi.
Prej dy vitesh, raporti mes produkteve të importuara dhe atyre vendase ka kaluar nga 3:1 në 4:1.
Pra, nga katër produkte që konsumohen, tre janë të importit, ndërkohë që kjo nuk është reflektuar fare në uljen e çmimeve, pavarësisht forcimit të lekut ndaj euros.
Teliti thekson se, në kushtet kur lekut i është rritur vlera me rreth 40%, do të ishte normale që produktet e importit të ishin më të lira për konsumatorët.
Çmimet në tregun vendas nuk kanë rënë, gjë që dëshmon për mungesë të konkurrencës reale dhe për kapjen e tregut nga oligarkë.
Nëse monedha vendase forcohet kaq shumë dhe çmimet nuk bien, kjo tregon se tregu kontrollohet nga pak operatorë të mëdhenj, i cili vendos çmime dhe kontrollon mallin e importuar që mbërrin në Shqipëri.
Sipas Teliti, importet po dominojnë tregun kontrollohen nga disa oligarkë.
Këtu janë disa njerëz, disa grupime, ose oligark, të cilët kanë penetruar dhe zotërojnë pjesën masive të malit te importuar në Shqipëri, të cilat konsumohen nga qytetarët dhe ndonëse euro ra me 40 %, duhej që të paktën produkti të rrijë më lirë, kjo gjë nuk ndodhi, kjo vërteton faktin se tregu shqiptar nuk funksionin ne kushtet e konkurrencës se lirë dhe të ndershme.
Në momentin që ti nuk e çmonton këtë rrjet merimange që është krijuar, që zotëron sektorin ku më fuqizohet leku shqiptar me 40% dhe nuk ndryshon çmimi dhe ritet, kjo tregon se çfarë fuqia marramendëse kanë këta operator në treg.
Duhet të pranojmë se sot në Shqipëri ekonomia e tregut të lirë është e deformuar, dhe pa një ndërhyrje serioze në këtë drejtim, çmimet do të mbeten të larta dhe prodhimi vendas do të vijojë të dëmtohet.



