Në seancën dëgjimore te Komisioni i Ekonomisë dhe Financave guvernatori i BSH, Gent Sejko, theksoi rëndësinë e ndryshimeve ligjore për të rregulluar veprimtarinë e mikrokredive në vend. Ai tha se në bashkëpunim me Bankën Botërore duhet një ligj i posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e institucioneve financiare jo banka. Po ashtu i kërkoi që institucionet jo banka të shndërrohen në shoqëri aksionere.
"Ne gjykojmë se është e nevojshme të bëhen ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore, për të adresuar procesin dhe për ta zgjidhur. Së pari Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjithë veprimeve me karakter procedurial të të gjithë përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë. Së dyti hartimin në bashkëpunim me BB të një ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jo banka. Së treti përkthimin në ligje të ndryshimeve rregullative të BSH mbi vendosjen e tavaneve për penaliteten dhe normat e interesit. Së katërti shndërrimin e institucioneve jo banka në shoqëri aksionere, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me dy nivele”.



