
Diktatorët me pak para mund të duan të marrin në konsideratë kthimin në shkollë dhe hapjen e librave të ekonomisë, sipas një studimi të ri që gjurmon flukset e investimeve në vendet jo demokratike.
Investitorët çojnë më shumë para në regjimet autoritare, ku lideri ka një edukim solid, konkludon një studim i kryer nga Instituti Bankar i Finlandës për Ekonomitë në Tranzicion. Nëse lideri është arsimuar në ekonomi dhe ka përvojë të mëparshme në biznes, investimi është edhe më i predispozuar për të ndodhur, sipas studimit që shqyrtoi të dhënat e investimeve të huaja direkte në 100 shtete diktatoriale nga viti 1973 deri në vitin 2008.
"Paaftësia i pengon investimet në një masë më të madhe sesa rreziku i shpronësimit", thonë autorët Abel François, Sophie Panel dhe Laurent Ëeill. "Ne nuk kemi gjetur asnjë lidhje midis moshës së diktatorëve, përvojave të mëparshme politike dhe investimeve të huaja ".
Karakteristikat individuale luajnë një rol më të madh sesa institucionet në tërheqjen e invesimeve të huaja në vendet ku zgjedhjet e politikave varen nga liria e një personi të vetëm, thotë studimi. Backgroundi personal i drejtuesit të një vendi mund t’i ndihmojë investitorët potencialë që të parashikojnë zgjedhje politike që ai mund të bëjë në të ardhshmen.
Sundimi i diskrecionit
"Diktatura është, deri në një farë mase, sundimi i diskrecionit", thonë autorët. "Edhe në qoftë se ka ndryshime në fuqinë diskrecionare midis diktaturave, fushëveprimi i vendimeve të mundshme të politikës publike është më i gjerë sesa në demokraci", ku institucionet dhe zgjedhjet ndihmojnë për t’u mbrojtur nga rreziqet e sundimtarëve ekstremistë.
Raporti gjithashtu evidenton se historia u ofron investitorëve arsye të forta për të mos u besuar diktatorëve më pak të vetëdijshëm ekonomikisht.
Ish-udhëheqësi i Birmanisë, Ne Win, për shembull, "shkatërroi Mianmarin" gjatë sundimit të tij 26-vjeçar në vitin 1988, duke përfshirë reformën monetare që ai inicioi "pjesërisht sepse astrologu i tij e këshilloi atë të emetonte prerje të reja të monedhave, numrat e të cilëve e kishin shumën 9", thonë autorët. / Bloomberg /



