
Teksa ditë më parë, Enti rregullator i Energjisë miratoi vendosjen e fashës prej 800 kilovatësh, Konfindustria i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të thërrasë në seancë urgjente dëgjimore me Entin Rregullator të Energjisë (ERE) për të arsyetuar vendimin e fundit për fashën e konsumit të energjisë si edhe për problematikat e menaxhimit të sistemit për periudhën e vitit 2021 dhe 6 mujorin e parë të vitit 2022.
Sipas tyre, ERE e ka për detyrim ligjor të shpjegojë publikisht në mënyrë profesionale të hollësishme para Kuvendit të Shqipërisë arsyet financiare, teknike dhe institucionale të sistemit energjetik, që kanë çuar në pranimin e plotë dhe pa asnjë ndryshim nga ana e saj të propozimit të ekzekutivit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë elektrike.
ERE duhet të arsyetojë hollësisht lidhur me: kostot mjaft të larta financiare të menaxhimit të operatorëve publikë KESH, OST, OSHEE, kostot shtesë të shitje-blerjeve e energjisë elektrike nëpërmjet ndërmjetësve, vazhdimin në nivele të larta të humbjeve në sistem me mbi 21% të sasisë së përgjithshme, zbatimin e kontratave koncesionare të energjisë së prodhuar nga HEC- et private, masat e marra nga OSHEE për moslejimin e abuzimit me matjet e konsumit me fasha etj., si faktorë përcaktues të vendimit për rritjen e fortë të çmimit të energjisë në shtator 2022.
Nga ana tjetër, njoftimi thekson se sipas të dhënave, në vitin 2021 sistemi energjetik prodhoi 6,5% më shumë energji elektrike, sesa nevojat për konsum dhe vendi kaloi në krizë energjetike të shpallur nga Kryeministri Rama.
Konfindustria vlerëson, se vendimi i ERE për rritjen me afër 5 herë e çmimit të energjisë elektrike për konsum familjar mbi fashën 800 kë/muaj do të jetë me pasoja të rënda për 90-130 mijë familje shqiptare dhe më ndikim të drejtpërdrejtë në rëndimin e klimës së biznesit dhe ekonomisë kombëtare.
Kujtojmë se në mbledhjen e Entit rregullator të Energjisë, u miratua çmimi i ri, prej 42 lekësh që do paguajnë familjet që kalojnë fashën.



