
Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 9 prill, në orën 14:30 dhe do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit (standard SSH EN 590) nuk duhet të jetë më i lartë se 210 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 198 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi tavan me pakicë është vendosur në 173 lekë për litër dhe 161 lekë për litër për shitjen me shumicë.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj që të zbatojnë detyrimisht këtë vendim.
Në rast shkeljesh, paralajmërohet se do të merren masa deri në pezullimin e aktivitetit. Institucionet përgjegjëse theksojnë se janë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.



