
Tregu i punës është në krizë të thellë, krizë e cila thjesht përkeqësohet pavarësisht përpjekjeve për ta zbutur me punëtorë nga vende të treta.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Punësimit, vetëm në gjysmën e parë të vitit janë shpallur mbi 43 mijë vende vakante.
Në studion e “MCN Economy”, përfaqësuesja e biznesit të vogël, Blerina Gjyriqi, dhe eksperti i tregut të punës, Arbër Xhihani, ndanë mendimet për mënyrën e informalitetit të madh në tregun shqiptar të punës.
Gjyriqi ndalet te fakti se qeveria ka premtuar mijëra vende pune nga vendet e treta, por sipas saj, disa profesione nuk mund të zëvendësohen, por duhen krijuar kushte për t’i mbajtur punëtorët shqiptarë në punë.
E ndiejmë në terren. Ne kemi vite që e kemi ngritur zërin që bizneset kanë shumë probleme me punëtorët.
Shkaku dhe arsyeja kryesore që bizneset kanë është shpopullimi.
Biznesi i vogël prej vitesh e ndien këtë mungesë, ne i kemi plotësuar kriteret e tyre vetëm që të mos na ikin punëtorët, por nuk kanë qenë të mjaftueshme dhe ata po vijojnë të ikin, jemi përpjekur ta mbajmë krahun e punës, por pa sukses.
Jemi munduar t’u përshtatemi dhe kemi vërejtur se tregu i punëtorëve të huaj nuk mund të zëvendësojë profesionet e ndryshme me ata shqiptarë.
Qeveria ka njoftuar se do të sjellë 45 mijë punëtorë nga Indonezia, por nuk e zëvendësojnë asnjëherë me punëtorin shqiptar.
Sipas Xhihanit, nëse vakancat aktuale do të mbusheshin, papunësia do të ishte më e ulët se 8%, prandaj sfida mbetet te sipërmarrësit për t’i plotësuar ato.
Në fakt, shifrat që publikohen në zyrën e punës janë reale dhe për këtë arsye duhet t’u referohemi.
Kriza ndjehet prej kohësh në tregun e punës, të gjitha sipërmarrjet kanë nevoja për të plotësuar vakancat e tyre dhe në pamundësi për t’i zëvendësuar janë drejtuar te gjetja e punëtorëve të huaj.
Shpesh krijohet ideja se zgjidhja është me kosto të ulët, por ka kosto të tjera që duhen mbuluar që shtojnë investimet në momentin e kontraktimit të punëtorëve të huaj.
Shifrat prej 43 mijë vendesh pune vakante janë të sakta, por nuk zëvendësohen me punëtorë të huaj, nuk është zgjidhja, por t’i mbajmë me këta që janë.
Nëse vakancat aktuale do te mbusheshin, papunësia do të ishte më e ulët se 8%.
Sektori i turizmit e ka ndier më shumë, të huajt janë sistemuar kryesisht në këtë sektor.



