Eksperti i ekonomisë Pano Soko, thotë se premtimi i Kryeministrit Edi Rama që pensioni mesatar deri në fund të mandatit të jetë 400 euro, është i parealizueshëm.
Duke folur për emisionin “MCN Economy” për deklaratën e kreut të qeverisë se 1.7 miliardë euro do jepen për pensionistët gjatë këtij mandati për rritjen e pensioneve, ai deklaroi se aktualisht buxheti i pensioneve është diku e 2.2 miliardë euro në vit dhe i bie që do i rrisë pensionet me 18-19% fondi i pensioneve.
Sipas tij, për të realizuar premtimin e pensionit mesatar 400 euro, duhen 5 miliardë duhen, ndërkohë që me shifra konkrete deri në 2029 do të arrijë 2.8 miliardë.
Një pension mesatar sot është fshat qytet 125 mijë lekë, në 2029 i bie të jetë 185 mijë lekë. I bie që në vitin 2029 pensioni mesatar në qytet të jetë diku te 220 mijë lekë të vjetra. Jemi shumë larg 400 mijë lekëshit. Që ne të japim një pension mesatar në qytet, duhet që fondi jonë i pensioneve të jetë 5.5 miliardë euro.
Kryeministri nuk e thotë dot që deri në 2029 do e rrisë me 2.3 herë pensionin. 5 miliardë duhen, 2.8 miliardë do arrijë ky deri në 2029, por nuk na del llogaria. Pensionet janë si dreka në shtëpi, secili ha drekë aq sa ka punuar për të ngrënë.
Dikush që punon mirë dhe merr 100-200 mijë lekë në ditë, dhe drekën e ha të mirë. Kush merr 20-30 mijë lekë në ditë dhe drekën do e hajë modeste. Për të dhënë pensione të mira duhet ta shikojmë shkakun tek ekonomia, duhet të kemi shumë të rinj që të paguajnë sigurimet shoqërore që të paguajmë pensionistët. Pasi të plotësohet ekuacioni nga krahu i të ardhurave, pastaj pensionistët mund të përfitojnë. Por që të kesh një ekonomi të mirë, duhet të menaxhosh mirë ekonominë.
Duhet të ketë rroga të mira, paga të mira dhje duhet që njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri. Por që të ndodhë kjo duhet që shteti të jetë miqësor dhe i jetueshëm. Duhet të ketë shëndetësi të mirë, arsim të mirë.
Të gjithë këta komponentë në bashkëveprim me njëri tjetrin ndikojnë në dëshirën për të qëndruar në Shqipëri. Të gjitha këto konvergojnë në faktin që shteti merr para dhe me paratë që merr jep paga dhe pensione më të mira. Skema e fondit special është me defiçit me 800 milionë euro në vit.
Nuk e mbulojmë dot pagesën e pensioneve me sigurimet dhe për këtë arsye fusim duart në buxhet. Nuk bëhet ekonomia me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ekonomia është ofertë-kërkesë dhe ti vuaj ose shijo ato që ke mbjellë. Nuk bëhet ekonomia me VKM.
Do presë para? Çfarë do bëjë? Se po preu para dhe iu dha 400 mijë lekë, iu ke dhënë copa letre. Halli është t’iu japësh sot që leku ka vlerë. Faji është te keqmenaxhimi i ekonomisë. Njerëzit po të ikin. Nuk është rritje pensionesh, është një bonus që po ju jep. Kështu siç e ka bërë ka lënë një shteg që në një vit të caktuar mund ta kthejë mbrapsht, po e bëri pjesë të skemës nuk ka kthim mbrapa.



