Pas publikimit të raportit për rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social ‘facebook’.
“Tremujori i dytë konfirmoi sërish trendin e konsoliduar të rritjes ekonomike, mbështetur nga aktiviteti i shtuar ekonomik dhe konsumi. 3.2%, është një shifër inkurajuese, por edhe një fakt më shumë se objektivi ynë për një rritje vjetore në kufirin 3.4-3.5% në 2016, është tërësisht i mundur!”, shkruan ministri.
Instituti i Statistikave raportoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3,21 përqind në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tremujorin paraardhës, prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 0,91 %.
Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si, tregti, hotele dhe restorante dhe transporti me +0,70 pikë përqindje, aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me +0,51 pikë përqindje, aktiviteti pasuritë e paluajtshme me +0,43 pikë përqindje. E vetmja dege me kontribut negativ është bujqësia me 0,32 pikë përqindjeje më pak, ndërsa të gjitha degët e tjera kanë një kontribut pozitiv.



